Nga Eitay Mack dhe Yonatan Gher, Aljazeera
Në fillim të mandatit të tij, Presidenti i SHBA-së Joe Biden njoftoi planin e tij të politikës së jashtme: rikthimin e Shteteve të Bashkuara në skenën botërore; ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për të ripërtërirë aleancat e SHBA-së; dhe forcimin e koalicionit të demokracive.
Thembra e Akilit e këtij plani optimist dhe besimi i tij janë marrëdhëniet anakronike të Uashingtonit me Shtetin e Izraelit.
Kjo marrëdhënie e veçantë është një relike e Luftës së Ftohtë, kur SHBA-ja mbështeti aleatët e saj pa kushte – ushtarakisht dhe politikisht – edhe kur bëhej fjalë për qeveritë ushtarake dhe regjimet diktatoriale që ishin përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, raporton abcnews.al
Prandaj, brenda kufijve të Izraelit ekziston një shtet që i jep privilegje politike dhe ekonomike shumicës së tij hebreje dhe në Bregun Perëndimor ekziston një diktaturë ushtarake izraelite, që vepron sipas të njëjtave metoda të regjimeve kolonialiste, shumica e të cilave përfunduan në shekullin e kaluar.
Kohët e fundit, dy organizata; Human Rights Watch dhe B’Tselem, akuzuan shtetin izraelit për krime kundër palestinezëve. Megjithatë, kjo nuk solli ndryshime në politikën e Uashingtonit. Për dekada, SHBA-ja ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke mos ndëshkuar plotësisht qeveritë e njëpasnjëshme izraelite, si në territoret e okupuara Palestineze ashtu edhe brenda kufijve Izraelitë.
Kjo ka zgjeruar mbështetjen e pakushtëzuar për Izraelin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ka siguruar ndihmë vjetore ushtarake. Shteti izraelit është përfituesi më i madh i ndihmës së huaj amerikane, pasi ka marrë rreth 146 miliard dollarë që kur u krijua në 1948.
Ndërsa SHBA-ja shpesh ka denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut dhe përkeqësimin e vlerave dhe institucioneve demokratike në të gjithë botën, ajo vështirë se ka kritikuar çështjet e tmerrshme të shtetit në Izrael dhe territoret e okupuara Palestineze, raporton abcnews.al
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar dhe madje kanë marrë masa kundër bombardimeve të civilëve në Siri nga regjimi i Bashar al-Assad, por nuk kanë marra masa për sulmet ajrore izraelite në zonat e banuara në Gaza apo shkatërrimin e shtëpive palestineze në Jeruzalemin Lindor të okupuar dhe Bregun Perëndimor, SHBA gjithashtu ka dënuar dhunën ndaj protestuesve në Mianmar dhe spastrimit etnik të Rohingya, por ka qëndruar në heshtje ndaj forcave izraelite që plagosin dhe vrasin protestues në Bregun Perëndimor dhe Gaza dhe zhvendosin me forcë palestinezët nga shtëpitë e tyre në Lindjen e okupuar Jeruzalemi, Lugina e Jordanit dhe Khan al-Ahmar.
Edhe kur ish-kryeministri Benjamin Netanyahu e ktheu racizmin ndaj popullatës palestineze dhe epërsinë hebraike në një çështje politike, Uashingtoni luajti rolin e të “ëmës”. Nën vëzhgimin e tij, Knesset miratoi ligjin, i cili shpalli Izraelin një shtet komb të popullit hebre vetëm, ndërsa mbështetësit e spastrimit etnik dhe krimeve të urrejtjes kundër palestinezëve fituan pozicione të fuqishme.
Ai jo vetëm që dobësoi institucionet shtetërore, duke minuar pavarësinë e Knesset, agjencive të sigurisë dhe gjyqësorit, por gjithashtu ishte vetë i implikuar në skema të ndryshme korrupsioni. Sidoqoftë, Uashingtoni vazhdoi ta mirëpriste Netanyahun në “klubin e liderëve demokratik”.
Qeveria e re në Izrael, e cila i dha fund sundimit 13-vjeçar të Netanyahut, paraqet një mundësi të rëndësishme për një përforcimin e marrëdhënieve SHBA-Izrael. Për të ekuilibruar dinamikën midis dy vendeve, duhet të bëhen shumë ndryshime, por ka disa masa që qeveria amerikane mund të marrë menjëherë për të filluar këtë proces.
Së pari, administrata e Biden duhet të marrë parasysh thirrjen e aktivistëve palestinezë, izraelitë dhe amerikanë për të kushtëzuar ndihmën financiare të SHBA-së me angazhimin e Izraelit për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
Nëse vazhdon të shkelë të drejtat e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Gaza, atëherë fluksi i ndihmës amerikane duhet të ndalet menjëherë.
Së dyti, administrata e Biden duhet të kërkojë që qeveria izraelite të ndalojë dëbimet e paligjshme të qindra banorëve palestinezë nga shtëpitë e tyre në Jeruzalemin Lindor të okupuar.
Së treti, administrata e Biden duhet të kërkojë që qeveria izraelite të shfuqizojë ligjin, i cili i jep një forcë diskriminimit të paligjshëm të qytetarëve palestinezë brenda Izraelit.
Së katërti, administrata e Biden duhet të kërkojë që qeveria izraelite të shfuqizojë Urdhrin Ushtarak Nr. 101, i cili u miratua në 1967 dhe që ndalon çdo protestë në Bregun Perëndimor të okupuar pa leje nga ushtria Izraelite.
Palestinezëve duhet t’u jepet mundësia të organizojnë protesta jo të dhunshme kundër okupimit dhe diktaturës ushtarake Izraelite, lirisht dhe pa kufizime. Duhet theksuar se asnjë nga këto nuk janë masa të jashtëzakonshme. Në fakt, ligjet e SHBA-së, të tilla si Akti i Ndihmës së Huaj të 1961 dhe të tjerët, kushtëzojnë ndihmën e huaj me përmbushjen e angazhimeve të një vendi për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
SHBA ka kushtëzuar ndihmën e huaj shumë herë dhe nuk ka asnjë arsye pse nuk duhet ta bëjë këtë për Izraelin. Duke marrë këto masa, SHBA-ja do t’i japë fund politikës së saj të standardeve të dyfishta që privilegjon Shtetin e Izraelit në krahasim me shtetet e tjera me të cilat SHBA-ja gëzon marrëdhënie të ngushta.
Deri tani duhet të jetë e qartë për Biden dhe ekipin e tij që mosndëshkimi i shtetit dhe ushtrisë izraelite nuk i ndihmon njerëzit që jetojnë në Izrael dhe shërben vetëm për të ushqyer ciklin e pafund të dhunës nga i cili vuajnë si palestinezët ashtu edhe izraelitët.
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al