Rrugëtimi artistik i Aleksandër Lleshit/ Që nga largimi me anije në ’90 deri në karrierën e shkëlqyer si piktor

schedule20:27 - 25 Janar, 2025

schedule 20:27 - 25 Janar, 2025

Aleksandër Llleshi, djali nga Durrësi, atëherë 20 vjeç, i cili u largua me anije në vitin 1990, kishte vetëm një pasion dhe një ëndërr. Pasion kishte vizatimin dhe pikturën, ndërsa ëndërra e tij ishte të shihte botën, atë botë që ishte ndryshe nga bota jonë dhe që ndodhej matanë Adriatikut.

Si pjesë e një kolonie piktorësh të peizazhit të Korçës, shfrytëzuam mundësinë që Aleksandri, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në pikturë, të na tregojë rrugëtimin e tij artistik dhe njerëzor.

Sapo u vendos në Itali, Aleksandrit i është dashur që të jetojë, të bënte të gjitha llojet e punëve dhe vetëm pas saj të ushtronte pasionin e tij pikturën. Duke parë krijimet e tij, kanë qenë artistët italianë që i dhanë përkrahjen për të ndjekur ëndrrën, të ishte vetëm një piktor.

Pa nguruar, Aleksandri, nisur nga përvoja personale, tregohet i prerë në mënyrë kategorike: gjithkujt i jepet mundësia që të shprehë aftësinë e vet. Ajo çka e bën të vështirë një pasion, është vazhdimësia. Ai tregon se për të vijuar rrugëtimin artistik i është dashur të lëvizë, fillimisht brenda Italisë, më pas dhe jashtë saj. Gjithë mundi tij u finalizua me ekspozita personale dhe duke u bërë pjesë e katalogëve të ndryshme të artit figurativ, të shoqëruara dhe me çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Pavarsisht rrugëtimit 30 vjeçar, Aleksandër Lleshi mbetet në thelb dhe në karakter artistik një piktor shqiptar. Ai nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet dhe kontaktet me vendin e tij. Sa herë i jepet mundësia, bëhet pjesë e kolonive të ndryshme të piktures që organizohen në Shqipëri. Përveç tyre, në mënyrë individuale, i shoqëruar dhe nga piktorë të huaj, realizon ekspedita në peizazhin shqiptar.

Një javë në rajonin e Korçes, i finalizoi me dy peisazhe, pjesë e një ekspozite të organizuar nga Bashkia e Maliqit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!