Mbi gjysmë shekulli këpucar/ Historia e Harrillaq Pucit nga Gjirokastra, nisi të punojë që 13 vjeç

schedule20:58 - 25 Janar, 2025

schedule 20:58 - 25 Janar, 2025

GJIROKASTËR- Ishte vetëm 13 vjeç kur nisi të ushtrojë profesionin e këpucarit, zanat në të cilin punon ende edhe sot ku shënon 54 vjet përvojë. Ky është Harrillaq Puci nga fshati Mashkullore i Gjirokastrës.

Zanatin nisi ta përvetësojë fillimisht në zonat rurale të Gjirokastrës, e pas perfeksionit të fituar do të punonte në një prej dyqaneve më të preferuar e të veçantë në pazarin karakteristik, atë të porosive.

Përveç pasionit që në fëmijëri për këtë zanat, mjeshtri kreu edhe një kurs 1 vjeçar pranë ndërmarrjes së riparim-shërbimeve në Tiranë ku eksperienca e fituar aty ndikoi jo pak në rritjen profesionale të tij.

Pas viteve ’90, Harrillaqi si shumë të tjerë emigroi në shtetin grek, ku edhe aty punoi pranë një fabrike të prodhimit të këpucëve. Me kalimin e viteve, ai vendosi të kthehej sërish në Gjirokastër, ku ka hapur prej kohësh edhe subjektin e tij modest, në të cilin punon prej kohësh fillikat. Kjo për arsyen e thjeshtë: Asnjë i ri nuk dëshiron të trashëgojë apo mësojë këtë zanat, madje as djali i tij, pasi siç thotë mjeshtri ky zanat po shkon drejt zhdukjes.

Riparimet që kryen janë të ndryshme si sandale, këpucë, rripa orësh e deri tek opingat që janë element i rëndësishëm për artistët që performojnë me veshjet karakteristike popullore të zonave të ndryshme.

Sot Harrillaqi 67-vjeçar është në prag të pensionit e bashkë me mbylljen e karrierës, mesa duket këtë fat do të ketë edhe subjekti i tij, ose akoma edhe më keq i gjithi ky profesion, që po brakstiset nga dita në ditë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!