“Ju shpjegoj arsyet e vendimit tim”, Sherri konfirmon largimin nga Vllaznia

schedule23:23 - 10 Gusht, 2020

schedule 23:23 - 10 Gusht, 2020

Alen Sherri ka vendosur të flasë. Portieri i talentuar shkodran, u largua nga Vllaznia dhe zgjodhi të vazhdojë karrierën te Laçi. 22-vjeçari ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi me një status të gjatë në rrjetet sociale, duke sqaruar gjithçka për vendimin e marrë.

Duke marrë shkas nga shkrimet e ndryshme që po lexoj, e ndjej edhe unë të nevojshme të sqaroj opinionin publik rreth situatës time. Më vjen keq që disa gjëra keqinterpretohen në media edhe realisht shumë pak njerëz i dinë të vërtetat.

Është e vërtetë që presidenca e re me ka kontaktuar, mbasi unë kam kërkuar t’i takoj, sepse s’kam dashur asnjëherë të iki tinxash nga qyteti jem. Për këtë falënderoj kryetaren e bashkisë znj. Voltana Ademi, z. Astrit Gjyrezi, z. Alban Xhaferi dhe drejtorin e ri sportiv z. Matko Djarmati, dhe shumë të tjerë, të cilët pavarësisht shumë gjërave, kanë mbeshtetur qëndrimin tim në ekip.

Për disa njerëz të tjere kam rezervat e mia. Kontrata jeme me Vllazninë ka qenë gjithmonë më shumë shpirtërore sesa financiare, prandaj unë s’e kam shikuar kurrë këtë pjesë si kryesore. Duke parë mënyrën se si ndodhen gjërat sezonin e kaluar dhe në fund që nuk m’u besua të jem në fushë në ndeshjen më domethënëse të sezonit, e pashë të rëndësishme të rishikoja edhe pozicionin tim në klub.

Kam pranuar të jem pjesë e Vllaznisë në të mirë e në të keq edhe ka qenë një andërr e realizueme e fëmijërisë teme me e veshë atë fanellë të rëndë. Ata që më njohin e dinë shumë mirë domethënien e emrit Vllaznia tek unë.

Largohem duke e ditur se për çdo sekondë kam dhënë maksimumin për ata ngjyra edhe për tifozat kuqeblu, edhe i kërkoj falje për çdo herë që mund t’i kemi zhgënjye, sepse Vllaznia nuk është aty ku e meriton.

Largohem për ti lënë ata të bëjnë punën që ndoshta unë nuk dita ta bëj mirë. Shpresoj edhe uroj që gjërat të ndryshojnë për mirë në vazhdimësi, pasi Vllaznia është e madhe, Vllaznia ka qenë, është edhe do të mbetet gjithmonë Vllazni, edhe bën pa mua, pa tjetrin e pa tjetrin. Shpresoj që ti kuptoni arsyet e zgjedhjes time, shpresoj që rrugët tona të takohen prapë një ditë“, shkruan Sherri. /abcnews.al