Investimi në Zvërnec, për shqiptarët dhe paga më të larta. Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së 3-të për arsimin dhe formimin profesional, rrëzoi aludimet se resorti i Jared Kushner dhe Ivanka Trump do të jetë një tokë e ndaluar për shqiptarët, dhe vetëm një “ishull” ku do të pushojnë dhe punojnë vetëm të huajt.
“Tani është bërë një barcaletë ditët e fundit, lidhur me një zhvillim që ka ngjallur debat të madh. Ideja që investitorët e huaj vijnë në Shqipëri, për të ndërtuar resorte të cilat janë për shumë të pasurit, për punonjës nga Filipinet dhe Bangladeshi, se duan t’i paguajnë shumë pak, është një ide që s’ka lidhje me realitetin. Është gabim të flitet në këtë mënyrë, një gënjeshtër e madhe, që të mendohet në këtë mënyrë. Sa më e lartë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta pagat. Sa më e ulët cilësia e turizmit, aq më të ulëta pagat”, pohoi Rama.
Por sërish Rama për këto aludime drejtoi gishtin nga influencerët, duke i akuzuar për racizëm.
“Ata të cilët nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj kujtojnë se Filipinezët vijnë si skllevër, ata nuk duan të punojnë e të marrin një pagë si në Greqi apo Kroaci, kjo është kaq e thjeshtë. Ose nuk janë fare në atë fushë, nuk janë në nevojë për një punë, punojnë në Instagram, japin intervista se jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj.”, tha Rama.
Përpara përfaqësuesve të delegacionit të BE dhe ambasadorit të Gjermanisë, Rama siguroi se nuk ka asnjë shans që një investim në mes të Europës të bëhet pa respektuar natyrën, siç po pretendohet nga disa në bulevard.
“Nuk ka më sot, jo në Europë, ku ka standarde jashtëzakonisht të mirëpërcaktuara në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, por edhe në Lindjen e Mesme, nuk janë vende pa rregulla dhe me standarde të mirëpërcaktuara në formën e ligjit si në Europë.
Janë vende ku ka tjetër sistem vendimmarrjeje, por ku bën dot sot projekte turistike që nuk janë me theks të fortë respekti për natyrën. Atje s’ka gjelbërim, por sot Abu Dhabi është ekosistemi më perfekt i një zone të banuar qytet. Abu Dhabi. Europa investon më pak në turizëm, sepse ka shumë. Sidomos Europa Jugore. Janë krijuar standarde strikte.”, u shpreh Rama.
Rama kujtoi se vetëm pak vite më parë, investitorët e huaj nuk kishin asnjë interes për të investuar në turizëm në Shqipëri, por sot Shqipëria përballë interesit të lartë duhet të përgatitet t’u ofrojë besim dhe punonjës të kualifikuar./abcnews.al


