Aktiviteti i vazhdueshëm i vullkanit Etna ka shkaktuar probleme të mëdha në trafikun ajror në Siçili, për shkak të hirit vullkanik që ka mbuluar zonën përreth.
Aeroporti i Catanias ka pezulluar mbërritjet dhe nisjet për shkak të pranisë së hirit vullkanik. Sipas operatorit të aeroportit, SAC, kufizimet do të vijojnë deri në orën 14:00 të së shtunës, 15 gusht.
Pasagjerëve u është kërkuar të kontrollojnë statusin e fluturimeve me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit.
Situata vjen në kulmin e sezonit turistik dhe ka prekur mijëra udhëtarë. Gjatë ditëve të fundit, qindra fluturime janë anuluar ose devijuar drejt aeroporteve të tjera në Siçili. Vetëm nga 8 deri më 11 gusht, rreth 700 fluturime në aeroportin e Catanias u prekën nga situata, ndërsa më shumë se 250 fluturime u ridrejtuan në aeroporte të tjera.
Problemet e shkaktuara nga aktiviteti i Etna-s janë ndër më të rëndat e regjistruara në aeroportin e Catanias në vitet e fundit, duke shkaktuar kaos për udhëtarët në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit.
Disa pasagjerë kanë raportuar se kanë mbetur të bllokuar në terminale për ditë të tëra, ndërsa fluturimet e tyre janë anuluar ose riplanifikuar disa herë.
Autoritetet dhe operatori i aeroportit po monitorojnë situatën, ndërsa vijimi i aktivitetit vullkanik të Etna-s mbetet përcaktues për rifillimin normal të fluturimeve.


