Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, është pritur të marten në SPAK nga kryeprokurori Klodian Braho, ku ka marrë informacion lidhur me hetimin që po kryehet për zbardhjen e krimit shtetëror të 21 Janarit. Mark Nika thotë se spak i ka premtuar se shumë shpejt do të konkludohet për grupin përgjegjës.
“Është zvarritur shumë si cështje. Se shpejti do kemi zhvillime. Nuk ka asnjë ne akuzë deri tani na u tha se po punojmë. Kemi pretendime se janë 25-16 vite. Kërkojmë të thirren dëshmitarë që nga personat e kryeministrit të kohës dhe Gardës. Vrasja Aleksit është një krim shumë i rëndë. Kemi kërkuar sekretarin e përgjithshëm kemi kërkuar sekretarin e serverave të IT. Si është bërë ky hetim. z.Braho me tha se do marrim masa. Kaseta është per riekspertim, por akoma nuk është bërë,” tha ai për mediat.
Që nga nisja e hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese, ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij.
Një nga provat kyçe në hetim është një audio-regjistrim rreth 34 minuta, dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen komunikime radiofonike të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë momenteve të protestës dhe ku jepen urdhra për të qëlluar me plumba.
Prokuori Alfred Shehu, do të analizojë këto prova bashkë me dëshmitë e dhëna dhe në rast që do hasen elementë të veprës penale, pritet që të merren persona të pandehur dhe t’u komunikohet akuza.
SPAK regjistroi procedim penal për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.
Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë./abcnews.al


