Kreu i SPAK Klodian Braho në një takim me gazetarët foli për përfundimin e hetimeve për ish-zv kryeministren dhe dërgimin e saj për gjykim, por jo të njëjtin zhvillim pati për një tjetër çështje të shumëpritur, atë të 21 Janarit.
Braho dhe dy prokurorët e çështjes thanë se së bashku me ish zëvendëskryeministren Belinda Ballukun, për gjykim janë dërguar edhe 25 persona të tjerë dhe dy shoqëri. Hetimi është përqendruar në disa procedura tenderimi, ndërsa për çështjen janë angazhuar dy prokurorë dhe 10 hetues.
Sipas SPAK, në kuadër të hetimeve janë sekuestruar disa pasuri. Me depozitimin e kërkesës, çështja i kalon tashmë Gjykatës së Posaçme, e cila do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë dhe do të vendosë për vijimin e procesit gjyqësor.
Gjithashtu dy prokurorët e çështjes shuan zërat për presione ndaj tyre duke u shprehur se nuk kanë patur presione as direkte dhe as indirekte që nga momenti që janë bërë pjesë e skuadrës hetuese.
Ndërkohë gjatë komunikimit me gazetarët u fol dhe për çështje të cilat prej vitesh janë në Prokurorinë e Posaçme si ajo e 21-janarit, për të cilën ende kjo strukturë nuk ka ndërmarrë veprime konkrete. Dëri më tani janë marrë në pyetje disa persona si dhe është dërguar në SHBA për aktekspertim, përgjigja e të cilës ende nuk kanë mbërritur.
Drejtuesi i SPAK tha se për hetimet e kësaj dosje nuk ka mungesë kapacitetesh profesionale nga struktura që ai drejton por veprimet hetimore kërkojnë kohën e nevojshme dhe ekspertizë që ofrohet nga disa vende të caktuara. Sipas Brahos hetimet zgjasin dhe kërkojnë kohën e tyre./abcnews.al



