Greqia vijon të luftojë me zjarret masive, ndërsa autoritetet po përballen me disa vatra të mëdha zjarri në pjesë të ndryshme të vendit. Situata më kritike paraqitet në ishullin e Kretës, Paros, Lesbos dhe në zonën e Porto Germenos, ku temperaturat e larta dhe erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve.
Zjarret kanë shkaktuar viktima mes forcave zjarrfikëse, dëme në banesa dhe sipërfaqe të mëdha bujqësore, ndërsa qindra banorë dhe turistë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara. Përballë situatës së rënduar, mbi 200 zjarrfikës, të mbështetur nga mjete ajrore, vullnetarë dhe ekipe të Bashkimit Evropian, vijojnë operacionet për izolimin e vatrave më të mëdha.
Në Porto Germeno, një nga frontet më problematike, flakët kanë depërtuar në zonat e banuara. Tetëmbëdhjetë avionë dhe shtatë helikopterë po ndërhyjnë nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit, ndërsa sistemi i emergjencës 112 është aktivizuar disa herë për evakuimin e banorëve dhe pushuesve. Sipas autoriteteve, disa banesa janë shkatërruar dhe është dëmtuar edhe një automjet zjarrfikës.
Ndërkohë, autoritetet greke paralajmërojnë se rreziku i zjarreve mbetet shumë i lartë në Atikë, Kretë, Greqinë Perëndimore, ishujt e Egjeut, Cikladet, Evros, si edhe në disa zona të Peloponezit dhe Greqisë Qendrore. Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarr, pasi kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.
Paralelisht me operacionet e shuarjes, prokuroria greke ka nisur hetimet për zjarrin e madh në ishullin e Parosit, ku dyshohet se shkaku lidhet me menaxhimin e mbeturinave në depon e ishullit.


