Grekët: Shqiptarët na vjedhin bimët mjekësore

schedule11:59 - 3 Qershor, 2018

schedule 11:59 - 3 Qershor, 2018

Greqia është duke u përballur me një rrezik të ri nga Shqipëria. Kështu shkruan France 24, që thekson se muajt e fundit, shqiptarët kalojnë malin për të shkuar në Greqi dhe për të vjedhur sasi të konsiderueshme bimësh mjekësore.

Shitja e këtyre bimëve në tregun europian sjell fitime të mëdha.

“Grupe të organizuara mblidhen në mal dhe jetojnë në kasolle të improvizuara”, thotë Yiannis Spirou, zotërues i një ferme të vogël në malin Gramoz.

“I korrin në sasi të mëdha dhe i marrin me mushka”, është shprehur Spirou për AFP.

Grekët thonë se shqiptarët interesohen veçanërisht për një bimë të veçantë, “Primula Veris”,  e cila nuk rritet dot në territorin shqiptar.

Kjo lule përdoret për të luftuar infeksionet urinare, problemet me frymëmarrjen dhe lodhjen.

Ato shiten rreth 20 euro për 120 gramë në eBay, ndërsa 25 rrënja lulesh shkojnë deri në 34 euro në Amazon.

Sipas autoriteteve greke, është hera e parë që ky trend vjedhjesh është bërë kaq i përhapur.

“Aksesi nga Shqipëria është i lehtë dhe shumë njerëz janë të përfshirë në këtë aktivitet”, tha Nikos Papaefthymiou, shefi i departamentit lokal të pyjeve.

Sipas disa zyrtarëve të tjerë, disa persona janë arrestuar, dëbuar dhe më pas janë kthyer sërish për të vjedhur bimë pasi kjo është një mënyrë e mirë për shqiptarët për të bërë para lehtë, thonë ata.

Shqiptarët i shesin bimët nga 10 deri në 20 euro për kilogramë për tregtarët, të cilët më pas e eksportojnë mallin në Gjermani dhe SHBA, sipas France 24./abcnews.al