Pas një hetimi 11-mujor, policia e Fierit ka çuar në pranga pesë anëtarët e një grupi shpërndarës droge.
Konkretisht, në pranga, me masë arresti në burg të caktuar më herët nga gjykata, kanë rënë Kevin Bare, Dejvi Ferko, Marjus Zhaka, Taulant Çela dhe së fundmi është arrestuar edhe 38-vjeçari që ishte shpallur në kërkim.
Burime nga Komisariati i Fierit thanë se operacioni “Clean School” konsiderohet një goditje e fortë për luftën ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në shkolla.
Kjo është goditja e parë në vitet e fundit e atyre që quhen “furnizuesit e mëdhenj” të drogës në Fier.
Për pesë të arrestuarit është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Fierit, me kërkesë të Prokurorisë.
Operacioni për arrestimin e anëtarëve të grupit u krye me mbështetjen e forcave “Shqiponja”.
Mes të arrestuarve ka shtetas me precedentë penalë dhe ish-të dënuar për vepra të rënda, si vrasja./abcnews.al


