Glover: Nuk më ka ndodhur të vëzhgoj zgjedhje pa opozitën

schedule13:54 - 24 Maj, 2019

schedule 13:54 - 24 Maj, 2019

Drejtueses së misionit të OSBE-ODHIR, Audrey Glover, nuk i ka ndodhur asnjëherë të vëzhgojë zgjedhje ku opozita nuk ka marrë pjesë. Këtë përgjigje dha në konferencën e zhvilluar sot me gazetarët ku konfirmoi do të vazhdonin të bënin vëzhgimin teknik të procesit edhe nëse do të ndodhte një situatë e tillë.

Shqipëria do t’i japë një eksperiencë të parë drejtueses së misionit të OSBE/ODIHR, të ndjekë zgjedhje pa opozitën.

“Në fakt jo, nuk më ka ndodhur ndonjëherë të vëzhgoj zgjedhje në një vend ku opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, tha ajo.

Nuk e di si do të jenë, por syrin nuk do t’ia ndajnë i përgjigjet interesimit të gazetarëve drejtuesja Glover.

“Atë që bëjmë gjithmonë, do të raportonim, do të reflektonim atë çka do shihnim vetë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Do të kishim një ditë pas zgjedhjeve raportin tonë përfundimtar me konstatimet e asaj që do shihnim”, tha ajo.

Arsyeja pse ndodhet në Shqipëri është për të prezantuar planin e punës për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Do të jenë 10 vëzhgues bërthamë, 18 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër.

“Kemi ardhur pa ndonjë ide të paracaktuar apo axhendë të fiksuar. Ne do të lëmë faktet që të flasin. Do të shikojmë sa janë zbatuar rekomandimet nga misionet e kaluara”, tha ajo.

Misioni i OSBE/ODIHR do të dalë me një raport para zgjedhjeve, do të ketë konferencë ditën pas zgjedhjeve për konstatimet paraprake, ndërsa raporti përfundimtar do të publikohet tetë javë pas zgjedhjeve./ABC News Albania 24/7