Gjykata Speciale e Hagës tregon arsyet e arrestimit të Nasim Haradinajt

schedule20:03 - 26 Shtator, 2020

schedule 20:03 - 26 Shtator, 2020

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj është arrestuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës

Në njoftim thuhet se pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 25 shtator 2020, Nasim Haradinaj është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Informacioni për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Nasim Haradinajt para gjykatësit do të njoftohet më vonë”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se të premten, hetuesit e Speciales kanë kryer një bastisje në zyrat e OVL-UÇK-së, ku më pas kanë arrestuar kryetarin e kësaj organizate Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj. /abcews.al/