Gjiknuri: Rrugë shumë më të mira në Korrik e Gusht

schedule12:27 - 15 Qershor, 2018

schedule 12:27 - 15 Qershor, 2018

Të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt bregdetit të jugut të Shqipërisë në Korrik e Gusht do të kenë rrugë të rikonstruktuara. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, e bëri këtë deklaratë nga njëri prej kantiereve të hapura në Fier i cili do të jetë gati në fund të këtij muaji.

Kantieret e rrugëve të hapura në Qershor do të jenë gati për muajt Korrik e Gusht me qëllim që pushesit shqiptarë e turistët e huaj të kenë lehtësi për të lëvizur nëpër Shqipëri. Këtë garanci e dha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e plotë të segmentit nga rrethrrotullimi i Patosit deri në ish-QTU Fier.

“Këtu siç e shikoni ka qenë një segment jashtëzakonisht problematik dhe në krye të besoj dy javëve kjo pjesë e segmentit që po punohet do të jetë tërësisht e rinovuar. Me Bashkinë e Fierit dhe me policinë jemi duke punuar që një pjesë e trafikut të devijohet brenda qytetit. Edhe njëherë u kërkojmë ndjesë qytetarëve, por njëkohësisht edhe të na mirëkuptojnë. Është një periudhë shumë e shkurtër, por përfitimi do të jetë shumë i madh. Korriku dhe Gushti që janë edhe muajt kulmor të sezonit do të kenë rrugë shumë më të mira dhe diferenca do të jetë e jashtëzakonshme”.

Një lajm të mirë e ruajti për në fund ministri Gjiknuri. Bëhet fjalë për projektet e mbetura pezull për ndërtimin e bypass-eve të Fierit dhe Vlorës.

“Dua të jap edhe një lajm të mirë që sot përfundoi edhe parakualifikimi i fazës së parë të dy bypass-eve, atë të Fierit dhe atë të Vlorës. Këto ditë do të hapet tenderi për fazën përfundimtare që është dorëzimi i ofertave financiare dhe jam besimplotë që brenda këtij viti ne do të fillojmë punimet edhe në këto dy bypass-e të rëndësishme. Shpresojmë që bypass-i i Fierit vitin tjetër të jetë i përfunduar kurse bypass-i i Vlorës do të dojë më shumë kohë”.

Sipas ministri Gjiknuri, procedura e ndjekur është transparente dhe e monitoruar nga BERZH-i si institucioni financues i këtij projekti./abcnews.al