Fundjavë e frikshme në Elbasan, rrugët rrezikojnë qytetarët

schedule16:54 - 10 Qershor, 2018

schedule 16:54 - 10 Qershor, 2018

Ka qenë një fundjavë e frikshme në rrugët e Elbasanit, për shkak të aksidenteve deri dhe në katër raste brenda ditësh. Ka patur viktima, por dhe shumë të plagosur. ABC News sjell një vëzhgim nga segmentet më problematike të zonës.

Fatos Salliu: “Nisja e stinës së verës ka rritur ndjeshëm fluksin e qarkullimit të automjeteve në rrugët e qarkut të Elbasanit. Më i shprehur ky fluks është në masë lindje – perëndim. Megjithë masat e forta të policisë, gjatë ditëve të fundit kanë ndodhur disa aksidente me pasoja tragjike për jetën e njerëzve”.

Eshtë vetëm fillimi i stinës së verës. Fluksi i automjeteve dyfishohet nga pushues dhe emigrantë. Rrugë të dëmtuara dhe festa familjare të çdo ditëshme. Abuzues të shumtë të alkoolit marrin timonin. Kurse kalimtarët nuk respektojnë asnjë rregull. Rrugët e Elbasanit po përgjaken.

Fatos Salliu: “I tillë është segmenti rrugor në Unazën jugore të Elbasanit deri në Bradashesh. Si pasojë e mungesës së mbikalimeve dhe nënkalimeve për qarkullimin e qytetarëve kanë ndodhur disa aksidente me pasoja tragjike”.

Në shkallë qarku ekzistojnë disa rrugë të frikshme ose zonat e kuqe, ku njerëzit vdesin. Korridori kryesor lindje-perëndim që nis nga Qafë Thana deri në Rrogozhinë e më tej, në Durrës, është i tillë.

Kthesat në segmentin Librazhd-Qafë Thanë, “Kthesat e Murrashit”,  Xibraka, Labinoti, Unaza jugore e Elbasanit, Elbasan-Metalurgji, bypass-i i Peqinit konsiderohen kthesat e vdekjes.

Po jo më pak problematika ka në rrugët që lidhin Elbasanin me Cërrikun, me Gramshin dhe me Tiranën. Perspektiva e situatës mbetet e zymtë. Ndaj dhe kjo verë parashikohet të jetë e pasigurtë./abcnews.al

Gazetar: Fatos Salliu