Ftesa e Ramës, Mediu: Është në delir, duhen analizuar të gjitha elementet e krizës

schedule19:38 - 18 Shtator, 2019

schedule 19:38 - 18 Shtator, 2019

Kryeministri Edi Rama u kërkoi këtë të mërkurë liderëve të opozitës jashtëparlamentare një tryezë dialogu gjithëpërfshirëse për reformën zgjedhore. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një interviste në ABC News i dha një përgjigje qytetarëve shqiptarë në lidhje me këtë ftesë. Sipas tij, patjetër që duhet ulur për të zgjidhur krizën në vend, por kjo duhet realizuar duke analizuar të gjitha elementet e krizës.

“Ka një përgjigje për shqiptarët jo për Ramën. Për mua kryeministri ka prodhuar krizën. Ka një përgjigje për shqiptarët dhe për faktorin ndërkombëtar. Patjetër që duhet të ulemi për të zgjidhur krizën vend. Duhet të ulemi në mënyrë institucionale për të zgjidhur këtë krizë, por duke analizuar të gjitha elementet e krizës. Reforma zgjedhore është padyshim një nga çështjet që duhet diskutuar në thelbin e saj për ta bërë parlamentin përfaqësues dhe njëkohësisht por të shmangur përfshirjen e krimit të organizuar.  Reforma zgjedhore nuk është thjesht një detaj teknik. Do ketë nevojë për ndryshime kushtetuese, nëse duam të bëjmë reformë të plotë”, tha Mediu.

Mediu tha se nuk ka besuar asnjëherë te racionalja e Ramës. Sipas tij, kryeministri  do ta shkatërrojë opozitën.

“Është në një delir të tillë që mendon se është mbi gjithçka”, tha Mediu./abcnews.al