Finale dhe ekipe të dënuara për fitore, Superiorja dhe e Para sot në fushë

schedule08:00 - 11 Korrik, 2020

schedule 08:00 - 11 Korrik, 2020

Derbi u lë radhën përballjeve të tjera të javës së 33-të të Kategorisë Superiore. Sot sytë janë në Elbasan, aty ku në mbrëmje, prej orës 20:45, Kukësi pret Teutën dhe do fitoren që sjell ngushtimin e diferencës së pikëve me Tiranën, në 4 pikë.

Nga ana tjetër durrsakët duan të ruajnë vendin e tretë, që u rrezikohet nga Laçi. Kurbinasit presin në shtëpi Luftëtarin e vendit të fundit dhe fitorja për ta është detyrim. Gjithsesi nuk ka aspak nënvlerësim për skuadrën gjirokastrite.

Kjo ndeshje luhet prej orës 15:45, ndërsa në mbrëmje në program është edhe një tjetër ndeshje, interesante. Skënderbeu i Ilir Dajës kërkon kthesën e rezultateve dhe ka mundësinë t’u gëzohet tre pikëve dhe për këtë duhet të mundë Vllazninë e vendit të tetë.

 

KATEGORIA E PARË – Ka ende ekuacione, më së shumti për skuadrat që do të bien në Kategorinë e Dytë dhe për ato që shkojnë në play-off dhe luftojnë për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Besëlidhja pret Kastriotin dhe fitorja është detyrim, për ta lënë pas Korabin. Edhe dibranët luajnë në shtëpi, kundër Erzenit, ndaj në Lezhë presioni është i madh për t’i mundur krutanët e ngjitur matematikisht në Superiore.

Edhe në grupin B gara mbetet e hapur për vendin e dytë. Lushnja që luan në transfertë me Besën pret një nder nga Apolonia. Fierakët luajnë në shtëpi kundër Pogradecit të vendit të dytë.

Sot luhen edhe dy ndeshje mes skuadrave të grupit A, që duan qëndrimin në Kategorinë e Parë. Dinamo ka një transfertë të vështirë në Burrel dhe i duhen pikë, kurse Egnatia ka mundësinë të qetësohet me një fitore kundër Veleçikut. /abcnews.al