“Europa është këtu”, Rama: Shkollat po rilindin pas shkatërrimit nga tërmeti falë financimit nga BE

schedule12:00 - 1 Qershor, 2021

schedule 12:00 - 1 Qershor, 2021

Kryeministri Edi Rama sëbashku me ambasadorin e BE-së Luigi Soreca dhe ministrin për Rindërtim Arben Ahmetaj, kanë ndjekur nga afër punimet në shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” në Kurbin, të cilat u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri Rama falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë, ndërsa theksoi se ka përfunduar faza e parë e rindërtimit të shkollave me fondet e qeverisë, dhe po vijon faza e dytë e rindërtimit me fondet e BE-së.

“Projekti është pjesë e fazës së dytë pasi jemi drejt finalizimit të fazës së parë me fondet e qeverisë. Tani jemi në fazën e dytë me fondet e BE-së për të ndërtuar shkolla me cilësi të lartë. Dua të them se shkollat e reja garantojnë kursim energjie dhe një mikroklimë shumë më të këndshëm qoftë në verë dhe në dimër.Në këtë rast dua të falënderoj të gjithë partnerët tanë dhe në veçanti ambasadorin e Bashkimit Europian.

“Shkollat “Gjokë Elezi” dhe “Demokracia” po rilindin për bukuri pas shkatërrimit nga tërmeti i 26 nëntorit, falë financimit nga Bashkimi Europian”, shprehet më tej Rama.

Nga ana tjetër, Soreca tha se Bashkimi Europian ka treguar mbështetje ndaj Shqipërisë dhe do të vijojë të solidarizohet që vendi të ecë përpara.

“Sot jemi në Kurbin me kryeministrin, po ashtu edhe me miqtë tanë nga PNUD për të vizituar dy shkolla që po rindërtohen në sajë të programit të BE 75 milion euro për më shumë se 60 shkolla dhe janë këto fonde të dhurua nga Komisioni Europian. Pra Europa është këtu. Ky është solidariteti i BE-së për Shqipërinë”, tha Soreca.

/abcnews.al/