Një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me aktivitet në fushën e krimeve kundër personit dhe të narkotikëve, është goditur nga Policia e Vlorës në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”.
Gjatë aksionit janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe dy të tjerë në kërkim kombëtar.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (FNSH), Njësia Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, pas informacioneve operative se disa persona me precedentë kriminalë lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara.
Në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”, u vunë në pranga shtetasit:
-Florian Shala alias Florian Alliaj;
-Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj;
-Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula;
-Miço Beqaraj;
-Turi Aligjoni;
-Dritan Çelaj.
Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Lecce të Italisë me 6 vite e 8 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në të njëjtin ambient u arrestuan edhe Turi Aligjoni 55 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 7 qershor në Vlorë, si dhe Dritan Çelaj 48 vjeç.
Të dy ishin të shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit policia sekuestroi katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1850 euro dhe tre automjete, dy prej të cilave me targa të huaja. Njëri prej mjeteve ishte i blinduar.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se automjeti tip “BMW X5”, i sekuestruar gjatë operacionit, ishte përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së 26-vjeçarit F. L., ngjarje e ndodhur në Vlorë dy ditë më parë.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të grupit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e tij të paligjshme.


