Një incident i ndodhur paraditen e sotme, ku kryeministri Edi Rama largoi gazetaren Edona Haklaj gjatë një transmetimi direkt, pasi nuk kishte maskë ka shkaktuar reagime të shumta nga Presidenti Ilir Meta dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ndërsa dy fjalë i kishte edhe vetë protagonistja. Kreu i qeverisë e pyeti se përse nuk e kishte maskën dhe e largoi nga transmetimi duke e shtyrë me dorë. Me këtë veprim që bëri, gazetarja thotë se kryeministri ka shumë borxhe për të larë.
“Sot, për shkak të profesionit që kam rastisa si rrallëherë pranë kryeministrit Rama. Rastisa dhe pa maskë. Për shkak të rrethanave që ndodhin në raportimet live, e që jo gjithmonë janë favorizuese për të qënë gati me mikrofonin, kamerën, e maskën. Kryeministrit, me të drejtë i bëri përshypje mungesa e maskës sime, (edhe pse përdora shallin si barrierë mbrojtëse) dhe pa të drejtë më shtyu në formë urdhëruese për të shkuar dhe për të marrë maskën.
Unë i përkas kulturës, dhe reagimi im ndaj liderit suprem ishte në te njëjtën formë, me një largim të qetë, sikur asgjë nuk ndodhi. Duke e njohur mirë kryeministrin, marrëdhenien e tij me medien, nuk doja që ai të gjente një rast për tu grricur, as një arsye për tu bërë lajm. Ama, unë me veprimin tim sot mund ti kem një borxh shtetit për shkeljen e aktit administrativ për mosmbajtjen e maskës, ndërsa kryeministri me veprimin e tij ka shumë borxhe për të larë” shkruan Edona Haklaj.
Presidenti Ilir Meta e dënoi incidentin duke e cilësuar dhunë. “Dënoj me ashpërsi dhunën e papranueshme fizike të ushtruar sot nga Kryeministri ende në detyrë ndaj gazetares së nderuar të televizionit “Fax News”, znj.Edona Haklaj.
Përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës, mbi të gjitha një vajze të re, me pretekstin e mosmbajtjes së maskës antiCOVID, është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale, për më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.
Ky sulm i dënueshëm, që vjen pak ditë pas linçimit publik të znj.Grida Duma, është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi.
Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, u bëj thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur.
Shpreh solidaritetin tim të plotë me gazetaren Edona Haklaj, televizionin “Fax Neës” dhe të gjithë kolegët e saj të pavarur e kurajozë, të cilët i inkurajoj për të vijuar pa u trembur, misionin fisnik të informimit publik.
Zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë”.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u shpreh se gjesti dhe prekja fizike e gazetares Edona Haklaj nga Kryeministri është një rast i paprecedent. “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u njoh sot me sekuencën audiovizive dhe reagimin për shkak të shtyrjes, të reporteres së televizionit Fax Neës, koleges Edona Haklaj nga kryeministri i vendit Edi Rama ndërsa po zhvillohej një komunikim me mediat dhe reporterët në Tiranë. Gjesti i shtyrjes fizike për shkak të mungesës së maskës mbrojtëse nga ana e reporteres, përbën një precedent të rrallë dhe në vetvete, ka peshën e një incidenti. Reporterja Haklaj në sqarimin publik në faqen vetiake të fb, përmes një norme të lartë etike ndien përgjegjësinë për mungesën e përkohshme të maskës dhe dënon veprimin e kryeministrit.
Një gjest i tillë prej Kryeministrit të vendit përbën në vetvete një akt të dhunshëm dhe aspak etik. Ditë më parë prepotenca verbale e kryeministrit Rama u ekspozua edhe në komunikimin me reporteren Ambrozia Meta, ndërsa zhvillonte një tjetër konferencë për shtyp me gazetarët.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë proteston ndaj gjesteve dhe akteve të tilla, aq më tepër që vijnë prej kryeministrit të vendit dhe në pikun e fushatës elektorale ku siç po vërrejmë me shqetësim, skena politike dhe elektorale po tensionohet skajshmërisht. Akte të tilla, reagimet e ngutshme politike si dhe avokatitë e ekzagjeruara nga subjekte dhe protagonistë politikë ndaj raportimeve të mediave dhe gazetarëve, fatkeqësisht po rikthejnë kuotën tronditëse të politizimit të medias dhe të shtyrjes më tej të ndarjeve të reporterëve dhe mediave në “pro dhe kundër” palëve elektorale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e thellë për këtë situatë dhe klimë. Dënojmë çdo tendencë politizuese, çdo lloj agresioni dhe presioni ndaj gazetarëve dhe reporterëve dhe kërkojmë që partitë politike të respektojnë vullnetin qytetar dhe ndërgjegjen qytetare të gazetarëve profesionistë dhe mediave plurale në vend si dhe legjislacionin në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe raportimit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh solidaritetin e fuqishëm me koleget dhe gazetarët në terren, duke u kërkuar shtimin e kurajos, rritjen e këmbënguljes për raportim të thelluar dhe imponim të transparencës dhe besueshmëri të ofertave elektorale nga ana e subjekteve elektorale, aktorëve dhe kandidatëve që pretendojnë të marrin votëbesimin e qytetarëve në zgjedhjet e 25 prillit 2021, pamvarësisht se cilës palë i përkasin.
Organizata jonë përveç denoncimit të rasteve, përgjatë gjithë periudhës së mbetur të kësaj fushate është në kontakte me organizata simotra ndërkombëtare dhe institucione që investohen për lirinë e medias dhe sidomos atë të gazetarëve. Dy rastet në fjalë janë pjesë e këtij raportimi dhe arsye për shumëfishim të reagimeve tona” deklaron Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Reagimet kanë qenë të shumta edhe në rrjetet sociale kundër kreut të qeverisë Edi Rama./ db/ Abcnews.al


