Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Arrestohet në Zveçan një i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

schedule22:35 - 16 Gusht, 2026

schedule 22:35 - 16 Gusht, 2026

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar të dielën në Zveçan një person me inicialet I.M., nën dyshimet për përfshirje në dhunën e majit të vitit 2023, gjatë së cilës u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, pas ndërmarrjes së një sërë veprimeve hetimore.

I.M. dyshohet për veprat penale sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, si dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.



Dhuna në Zveçan shpërtheu më 29 maj 2023, pasi protestuesit serbë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektin e komunës.

Përleshjet ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë rezultuan me lëndimin e më shumë se 90 pjesëtarëve të KFOR-it, disa prej tyre rëndë. Të lënduar pati edhe në mesin e protestuesve. Protestat në veri pasuan zgjedhjet lokale të prillit 2023, të cilat u bojkotuan nga shumica e serbëve lokalë. Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, por hyrja e tyre në objektet komunale shkaktoi tensione dhe përleshje.

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona të dyshuar për dhunën në Zveçan. Disa prej tyre janë dënuar me burgim, përfshirë raste kur të dyshuarit kanë pranuar fajësinë në marrëveshje me Prokurorinë.

Në janar të këtij viti, autoritetet kosovare kishin arrestuar gjithashtu një person me inicialet S.R., nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë protestave të vitit 2023.

Atëherë, në vendbanimin e të dyshuarit ishte kryer edhe një kontroll, ku ishin gjetur prova materiale që, sipas Prokurorisë, do të përdoreshin në procedurën penale.

Për dhunën në veri në maj 2023, autoritetet e Kosovës kanë akuzuar grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Beogradi i ka hedhur poshtë këto akuza.

NATO-ja në vazhdimësi ka kërkuar që personat përgjegjës për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it të mbahen përgjegjës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!