Katër vepra arti të piktorit të Rilindjes, Antonello da Messina, janë vjedhur nga muzeu rajonal i Mesinës në Sicili, në një grabitje që besohet se ka shkaktuar një humbje prej dhjetëra milionë eurosh.
Mes veprave të grabitura janë tre nga pesë panelet e mbijetuara të “Poliptikut të San Gregorios”, të realizuar në vitin 1473, si dhe një panel dypalësh që paraqet Virgjëreshën Mari dhe Krishtin.
Sipas mediave italiane, autorët e grabitjes hoqën të pesë panelet e poliptikut nga korniza, por gjatë arratisjes lanë pas dy prej tyre. Vepra tjetër ishte marrë nga një vitrinë e blinduar.
Vjedhja ndodhi të dielën, në një kohë kur në qytet po zhvilloheshin festimet tradicionale të Ferragostos. Në muze kishte roje, ndërsa sistemet e alarmit dhe të sigurisë ishin aktive.
Në pamje shihet edhe momenti kur autorët hyjnë në muze dhe vjedhin veprat e artit.
Eksperti i artit Alberto Fiz e ka vlerësuar vlerën e veprave të vjedhura në 70 deri në 80 milionë euro.
Drejtoresha e muzeut, Marisa Mercurio, e cilësoi ngjarjen një humbje të jashtëzakonshme për muzeun, Mesinën dhe botën e artit. Ajo theksoi se veprat e Antonello da Messina janë pjesë thelbësore e trashëgimisë kulturore të qytetit.
Edhe zyrtari i kulturës së Mesinës, Enzo Caruso, e përshkroi grabitjen si “një katastrofë”, duke theksuar se mungesa e veprave të Antonello da Messina-s i heq qytetit një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij artistik.
Ekspertët e krimit të artit vlerësojnë se njohja e gjerë e këtyre veprave e bën të vështirë shitjen e tyre në tregun legjitim të artit, çka mund të komplikojë përpjekjet e autorëve për t’i nxjerrë ato në qarkullim.
Muzeu është mbyllur përkohësisht, ndërsa hetuesit kanë nisur mbledhjen e provave dhe hetimin për identifikimin e autorëve.
Grabitja ndodhi vetëm disa ditë pasi policia italiane njoftoi rikuperimin e tre veprave të vjedhura të Renoir, Cézanne dhe Matisse, me një vlerë të përbashkët prej rreth 10 milionë eurosh.


