Grabitën punonjësin e “Exchange-s” në mes të Tiranës, kapet një prej autorëve

schedule09:45 - 6 Maj, 2021

schedule 09:45 - 6 Maj, 2021

Tiranë – Është arrestuar një nga tre grabitësit që dy ditë më parë arritën ti marrin një shumë parash një punonjësi “Exchange” në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Mësohet se në pranga ka rënë Roni Spaho 22 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit M. Gj., 26 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe M. B.(B)., 26 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë.

Por si ndodhi grabitja?

Mëngjesin e 4 majit në rrugën “Mihal Duri”, këta tre persona i vodhën me dhunë shumën prej 3.000.000 lekësh të rinj, shtetasit Qani Zili ., 60 vjeç, punonjës i një pike valute. Ata e kanë ruajtur 60-vjeçarin dhe në një moment e kanë kapur në befasi duke e qëlluar me sende të forta në kokë. Më pas kanë arritur t’i marrin shumë e parave. Ndërkohë ABC siguroi edhe pamjet e momenti të grabitjes, ku autori largohet me vrap me thesin e parave në dorë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Valuta”.

Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Zbardhet dhe dokumentohet në kohë rekord ngjarja e ndodhur më datë 04.05.2021, në rrugën “Mihal Duri”, ku 3 shtetas i vodhën me dhunë 3.000.000 lekë të rinj, punonjësit të një pike valute.

Arrestohet në flagrancë njëri prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim dy nga bashkëpunëtorët, me precedent të mëparshëm penal.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale shuma e parave të vjedhura nga këta 3 shtetas.

Në vijim të punës të pandërprerë hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 04.05.2021, në rrugën “Mihal Duri”, ku 3 shtetas i vodhën me dhunë shumën prej 3.000.000 lekësh të rinj, shtetasit Q. Z., 60 vjeç, punonjës i një pike valute, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit e Krimit ndaj Jetës dhe Pronës,nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Valuta”, si rezultat e të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. S., 22 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje.

Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit M. Gj., 26 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe M. B.(B)., 26 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët kanë qenë dy personat që ndodheshin me motor në momentin që ka ndodhur ngjarja, ndërsa shtetasi R. S. (i arrestuar) i ka ndihmuar duke i informuar për lëvizjet e të dëmtuarit.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim. /abcnews.al/