Djarmati: Ndaj aleancave vetëm kujdes, e dimë ku është problemi

schedule11:15 - 2 Mars, 2021

schedule 11:15 - 2 Mars, 2021

Vllaznia javën e shkuar humbi ndaj Tiranës dhe kundërshtarët iu afruan, duke rrezikuar seriozisht kreun e renditjes së Superiores. Shkodranët nesër luajnë një tjetër ndeshje të fortë. Përballë është Teuta (ora 16:00, stadiumi “Niko Dovana”) dhe para kësaj ndeshje në konferencë për shtyp foli drejtori sportiv, Matko Djarmati.

“E dimë se ku është problemi, do e zgjidhim dhe do vazhdojmë rrugën tonë. Edhe psikologjikisht ekipi nuk është përgjigur si duhet, por edhe teknikisht kemi pasur probleme. Kemi sjellë tre lojtarë në janar. Edhe ekipet e tjera i aktivizojnë dalëngadalë lojtarët e rinj.

Nuk deshëm të prishim grupin. Lojtarët kanë nevojë për kohë, njëri prej tyre mund të jetë në fushë nesër. Ndeshja e nesërme nuk është vendimtare sepse ka shumë kohë para fundit të kampionatit. Fitorja na rrit shumë psikologjikisht dhe na hap rrugën për t’u rikthyer në ujërat e mëparshëm.

Shkarkimi i Brdariç? Hera e parë që më bëhet kjo pyetje, nuk është biseduar aspak kjo çështje, dje e takuam Xhaferin. Në Kupë duhet fitore me patjetër, humbja do ishte shumë zhgënjyese. Do bëjmë maksimumin në të dy frontet. Objektivi i klubit janë Kupat e Europës. Si ka shkuar kampionati, çdo njeri ka objektiva të larta.

Unë gjithmonë kam përmendur të njëjtin objektiv. Shpresoj të dali sa më shpejt nga kjo krizë dhe të arrijmë objektivat tonë. Nëse kemi shansin 5 ndeshjet e fundit të fitojmë titullin, sigurisht do e pretendojmë. Aleancat? Nuk ndryshojmë dot gjë. Nuk është në dorën tonë. Nuk kemi frikë, por kujdes”, u shpreh Djarmati. /abcnews.al