Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me qytetarët në Dibër në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ku vlerësoi mbështetjen që kjo zonë i ka dhënë ndër vite forcës politike që ai drejton.
Rama u shpreh se Dibra ka luajtur një rol të rëndësishëm në fitoret e PS-së, ndërsa theksoi se investimet infrastrukturore, veçanërisht ndërtimi i Rrugës së Arbrit, kanë sjellë një transformim të madh për zonën. Sipas tij, kjo vepër nuk përbën fundin e zhvillimit, por vazhdimin e projekteve dhe angazhimeve të Partisë Socialiste për Dibrën dhe banorët e saj.
“Dibra nxori nga kutia e votimit fitoren më të madhe të PS. Ai ka qenë një moment në daljen në pah të kësaj zone. Më vjen shumë mirë që kjo lidhje tani materializohet në shpejtësinë e madhe.
Do të ishte e pamendueshme, që ne të arrinim të ndërtonim rrugën e dibranëve. Rruga e Arbrit është një sukses i madh. Kjo u realizua, por kjo nuk është fundi, por është vazhdimi i kësaj rruge, i cili është ai i PS. Për të cilën ne kemi parë, dëgjuar shumë, por edhe kemi bërë shumë”, tha Rama.


