Data e re e zgjedhjeve, përfundon takimi i aleatëve të PD-së me Metën (Video)

schedule19:55 - 12 Qershor, 2019

schedule 19:55 - 12 Qershor, 2019

Aleatët e Partisë Demokratike zhvilluan pasditen e kësaj të mërkure në ambientet e Presidencës një takim me kreun e shtetit Ilir Meta. Temë kryesore e diskutimit ishte data e re e zgjedhjeve pas çdekretimit të 30 Qershorit.

Në përfundim të takimit, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi deklaroi se Grupi i Qendrës së Djathtë mendon se dita e re e zgjedhjeve do të dalë nga një marrëveshje e re politike për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ai e konsideroi takimin me Presidentin shumë pozitiv. Megjithatë theksoi se në takimin e sotëm Grupi i Qendrës së Djathtë shkoi pa një propozim për datën e re të zgjedhjeve.

“Ne gjykojmë që aksioni opozitar nuk mund të reduktohet e ditës së zgjedhjeve, duhet të gjykojmë se dita e zgjedhjeve duhet të jetë si derivat i një analize tjetër, Çfarë duhet të bëjmë deri ditën e zgjedhjeve për t’i bërë zgjedhjet e pranueshme siç duhet të jenë nga pikëpamja e pretendimeve tona.

Ne gjykojmë se sot se dita e zgjedhjeve do të derivojë nga mundësia e një marrëveshje të madhe politike nga të me gjithë mend merren në konsideratë pretendimet opozitare për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përtej kësaj ne e konsiderojmë shumë pozitiv. Për sot gjykojmë se është bërë një hap i vogël, por në drejtimin e duhur.

Ne gjykojmë se data e zgjedhjeve nuk mund të jetë një dëshirë, do të dalë vetvetiu nga marrëveshjet politike, nga sipërmarrjet që do merren. Nëse data e zgjedhjeve është thjesht arsye për të fituar kohë kuptohet që kjo nuk i mjafton opozitës

Ne erdhëm pas asnjë propozim sot. Nuk besoj se edhe Presidenti na thirri për të pasur një propozim konkret. Meta do i presë të gjitha palët, të cilët nga pikëpamja mund të kenë peshë më të madhe. Ne afruam mundësitë që kemi sot. E falënderuam që e zgjidhi problemin e kohës, nëse pjesa tjetër nuk ka luajtur mendsh fare që të vazhdojnë me pretendimin e datës 30. Si fillim është një hap i vogël dhe i rëndësishëm”, tha Shehi.

Ndërkohë gazetarja e ABC News, Yllka Kamenica, raportoi se nga dita e nesërme pritet një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe përfaqësues të LSI-së.

“Që nga dita e nesërme është një takim i pritshëm me kryetarin e Partisë Demokratike, ndoshta jo me zonjën Kryemadhi pasi në takimet e shkuara është zoti Luan Rama që ka përfaqësuar patrin LSI. Nga Partia socialiste duket e konfirmuar dhe me zë dhe figurë nga vetë kryeministri ata nuk do marrin pjesë por do vazhdojnë axhendën e tyre elektorale”, tha gazetarja./abcnews.al