Belgjika pritet të përballet me paralizim të transportit ajror dhe atij publik më 23 nëntor, për shkak të një proteste kombëtare të thirrur nga tri sindikatat më të mëdha të vendit.
Në grevë do të përfshihen edhe kontrollorët e trafikut ajror, duke sjellë anulimin e shumicës së fluturimeve në aeroportet belge.
Kompania përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror, ka njoftuar se nuk do të jetë në gjendje të garantojë funksionimin normal të shërbimeve nga ora 07:00 deri në 21:00. Për pasojë, aeroporti i Brukselit ka paralajmëruar anulimin e pjesës më të madhe të fluturimeve, si në nisje, ashtu edhe në mbërritje. Jashtë kufizimeve do të mbeten vetëm fluturimet e emergjencës dhe ato të domosdoshme për sigurinë.
Vetëm në aeroportin e Brukselit ishin planifikuar rreth 59 mijë e 500 pasagjerë dhe 429 fluturime për këtë ditë, mes tyre 213 nisje dhe 216 mbërritje.
Protesta do të prekë edhe transportin publik, ku priten kufizime në shërbimet e autobusëve, tramvajëve dhe metrosë
Sindikatat kundërshtojnë veçanërisht planet që lidhen me pensionet, pagat dhe kushtet e punës. Sipas tyre, kjo është protesta e 11-të kombëtare që prej ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale.



