Doktori ikën nga sheshi, rikthehet në bazë, gati për zgjedhje. Sali Berisha nuk bën më thirrje për protestë, tani më të rëndësishme janë zgjedhjet.
“Përgjigjia jonë politike, në mes të protestave më të fuqishme shoqërore që kanë tronditur thellë regjimin, është hapja e plotë ndaj shoqërisë, duke fokusuar punën e strukturave në identifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë me integritet të lartë moral, profesional e qytetar, në çdo komunitet vendor.”
Ndaj dhe paralelisht me rikthimin e Foltoreve të Ripërtëritjes, duke nisur nga e premtja, me të vetmin qark blu, Kukësit, Doktori ka përcjellë dhe një udhëzim për kryetarët e degëve demokrate, do deri më 30 nëntor emra kandidatësh, dhe jo thjesht politikë, por Hapje të vërtetë.
Demokratët duhet të punojnë fort për të gjetur studentë dhe pedagogë.
“Me qëllim realizimin e një procesi sa më të hapur dhe gjithëpërfshirës, përveç propozimeve politike që i ngarkohen strukturave dhe drejtuesve të strukturave të PD, anëtarët dhe strukturat drejtuese duhet të angazhohen nëpërmjet një dialogu të hapur e intensiv me mbështetësit dhe simpatizantët e PD dhe komunitetin në tërësi, me trupën e pedagogëve dhe botën akademike, studentët dhe shoqërinë civile, profesionistët e lirë, sipërmarrjen e ndershme, të përndjekurit politikë dhe pronarët, si dhe organizatat jofitimprurëse, për mbledhjen e mendimeve dhe propozimeve me qëllim evidentimin e personave me integritet, kurajë qytetare dhe kapacitete të spikatura të mbështetjes së kauzave publike, objektivave dhe programit të PD-së.”
Koha nuk pret, doktori i kërkon degëve të nxitojnë deri më 30 nëntor. Ndërkohë që në 45 bashki gara duket thuajse e mbyllur, Tirana, aty ku bëhet dhe protesta, edhe lufta në PS, mbetet patatja e nxehtë.
Ilir Alimehmeti duket i sigurt se do të jetë ai kandidati politik i PD, por doktori nuk e ka thënë kurrë, as fjalën e parë as fjalën e fundit.
Herën e fundit, kur foli para 1 viti, për kandidat zgjodhi të pavarurin Florian Binajn, i cili ka nisur sërish xhirot nëpër studio televizive.
Aktori i portokallisë, tani nje piranja me kollare portokalli, ka shpallur sërish kandidaturën, si i pavarur, madje fton PD dhe opozitat ta mbështesin.
Përpjekja e doktorit për hapje drejt studentëve, pedagogëve apo dhe organizatave jofitimprurëse, tregon shumë për presionin që ka opozita për Tiranën. Një presion, që kapërcen çdo opozitë tjetër parlamentare, nga Lapaj, Shehaj tek Qori. Së paku, beteja për Tiranën duket se po zhvillohet në një paradoks. Ndërsa socialistët kanë dilema për emrin, opozita ka dilema për stemën. Ajo e PD-së duket se është e përjashtuara e para./abcnews.al


