Kur Edi Rama fliste për mandatin e tij të tretë, koronavirusi i parë po hynte në Shqipëri përmes doganës së Hanit të Hotit.
Këtë nuk e dinte kryeministri, dhe po një lloj, nuk kishte dijeni as Presidenti kur thirri besëlidhjen e dytë, me ultimatume për shpërndarje parlamenti.
Kur 15 marsi erdhi, të gjithë kishim pak ditë që kishim mësuar se koronavirus kishte ardhur në zemër të Tiranës.
Frika ndaj këtij virusi të padukshëm nuk kurseu askënd. As vetë Presidentin që shpejtoi të bënte testin, e as kryeministrin që u ngujua për disa ditë në shtëpinë e tij në Surrel.
Nën presionin e armikut të përbashkët, temperaturat e larta të ndasive politike u ulën.
Shenjat e para i dha presidenti, duke shpërndarë në “Facebook” e tij video të Ministres së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes. Ndërsa me zë e me figurë, Edi Rama harroi për pak çaste të enjten mbrëma se Partia e tij e ka vendosur nën proces shkarkimi Ilir Metën.
Për të konfirmuar stinën e re “dashuri e qetësi” menjëherë Ilir Meta njoftoi përgjysmimin e pagës së tij dhe stafit të Presidencës, për të ndihmuar kryeministrin në grumbullimin e sa më shumë parave për të ndihmuar ekonominë e goditur nga COVID-19.
Ilir Metën e ndoqi edhe Partia Demokratike dhe LSI-ja, të cilat, pavarësisht rezervave përshëndetën paketën prej 300 milionë eurosh që Rama prezantoi për përballimin e gjendjes.
Paqja e brishtë do të testohet sërish kur COVID-19 të jetë mundur dhe fuqia e jetës të ketë triumfuar. A do të mund të ndryshojë korona armët tradicionale të politikës: nga kërcënimet tek ultimatumet?/abcnews.al


