Çinari: 9 pikë s’janë shumë, betejë deri në fund. Vllaznia? Nuk festoj nëse shënoj

schedule23:31 - 21 Janar, 2021

schedule 23:31 - 21 Janar, 2021

E enjte fantastike dhe e paharrueshme për Eraldo Çinarin. Sulmuesi shkodran nuk luante prej 6 muajsh (u pezullua nga FIFA) dhe sot i kanë mjaftuar 5 minuta për t’i dhuruar Partizanit triumfin në derbin ndaj Tiranës. 24-vjeçari, në një lidhje direkte në emisionin “Pressing” në ABC, u shpreh:

Pezullimi është një diçka që nuk do ia uroja asnjë futbollisti. Dua të përgëzoj Vllazninë për ecurinë që ka pasur. Ka lojtarë me shumë kualitet, por nuk duhet të lëmë edhe Partizanin pas. Ka djem që kanë dalë kampionë dy vite më parë, ekipi ka kualitet. Do të jetë një kampionat i rivalizuar deri në fund, janë edhe 22 ndeshje.

Edhe pse profesionist, gjithmonë do jem tifoz i Shkodrës. Pse jo, të mos shkojë në Shkodër titulli. 9 pikë nuk janë shumë. Vllaznia po bën një kampionat shumë të mirë, por janë edhe 22 ndeshje në lojë, janë edhe 66 pikë.

Vllaznia po tregon se është një ekip i fortë dhe kockë e fortë për çdo kundërshtar. Të rrish 6 muaj pa luajtur dhe vetëm të stërvitesh, nuk është njësoj si ngarkesa që merr në ndeshje. Ndeshjet kanë ritëm tjetër, stërvitja ka ritëm tjetër.

Besoj se ky gol e riktheu edhe njëherë entuziazmin brenda meje. Kush do shprehet më mirë, ai do të luajë te ne. Kemi shumë lojtarë me kualitet te Partizani.

E kam thënë edhe kur i shënova Vllaznisë: ne jemi profesionistë. Aktualisht mbroj ngjyrat e Partizanit, do jap maksimumin për këtë klub. Do ishte mungesë respekti dhe impenjimi nëse nuk i shënoj Vllaznisë nëse do të më jepet mundësia. Ama, nuk diskutohet që nuk do festoj nëse i shënoj Vllaznisë.

Te Partizani ka 5-6 lojtarë që Daja i ka ndërthurur ashtu siç duhet. Sot jemi në vend të dytë mes gjithë problemeve. Partizani i ka të gjithë mundësitë për të rivalizuar Vllazninë“, përfundon sulmuesi i skuadrës kryeqytetase. /abcnews.al