Një humbje e tillë djeg. Jo vetëm sepse Partizani ishte në avantazh 1-0 deri 8 minuta para fundit në duelin e javës së 9-të të Superligës në Elbasan, por edhe sepse luajti mjaft më mirë se në të kaluarën, dhe sepse nuk pati fat.
Dy minuta para fundit, rezultati u vendos nga një vendim I gjyqtarit Çelaj I cili doli edhe përmbi VAR-in, ndonëse e përdori teknologjinë për të vlerësuar vlefshmërinë e golit të dytë të vendasve.
U konfirmua pozicioni jashtë loje I lojtarit elbasanas Pasagiç, por gjyqtari argumentoi se ky of sajd nuk ndikoi në aksionin e golit, meqë pati kthim topi prapa nga lojtari I të kuqve, Marku.
Polemikat mbeten të gjitha, ndërsa sa I takon rezultatit gjithçka u vendos kundër kryeqytetasve.
Partizani kaloi në epërsi në 16’, kur Joviçiç shënoi me kokë.
Një fillim shumë i mirë dhe trajneri kroat, Karoglan shpresoi që fatin të mos e kishte më kundër.
Më pas, të kuqtë dyfishuan avantazhin, veçse goli u anulua për pozicion jashtë loje, që u duk se qendronte.
Sërish autor goli ishte Joviçiç.
Të kuqtë protestuan që më parë për një faull ndaj Kekos, që nuk u akordua nga gjyqtari, ndërsa vazhduan të luanin mirë.
Mund të kishin shënuar më shumë se një gol, ndonëse edhe Elbasani pati mundësitë e tij.
Një paraqitje krejt ndryshe e 17 herë kampionëve në krahasim me duelet e mëparshme në Superligë, por që nuk mjaftoi as për pikën.
Edhe me ndihmën e gjyqtarit, trajneri I ri, Glen Daja, mori fitoren e parë në stolin verdhekuq, ndërsa Karoglan provoi shijen e humbjes së tretë radhazi.
Partizani mbetet në vend të fundit të kampionatit me vetëm 4 pikë dhe mbijetesa po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndonëse kohë në dispozicion ka plot.
Në ndeshjen tjetër të luajtur në të njëjtën orë, Skënderbeu e Laçi barazuan 1-1 në stadiumin e Korçës.
Vendasit kaluan në epërsi në 27’ kur shënoi Lagonidhis, ndërsa kurbinasit barazuan në 64’.
Pas këtyre ndeshjeve, Elbasani ka 11 pikë, po aq sa Laçi, Skënderbeu 10, ndërsa Partizani për herë të parë në historinë e tij ka vetëm 4 pikë në 9 javë.


