Biden thotë se SHBA mund të sanksionojë Putinin nëse Rusia pushton Ukrainën

schedule04:16 - 26 Janar, 2022

schedule 04:16 - 26 Janar, 2022

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se do të konsideronte sanksione personale ndaj Vladimir Putin nëse Rusia pushton Ukrainën. Biden tha se do të kishte “pasoja të mëdha” për botën nëse Rusia bën një lëvizje ndaj kombit, i cili ndodhet në kufirin e saj jugperëndimor. Komentet e tij erdhën pasi udhëheqës të tjerë perëndimorë përsëritën paralajmërimet se Rusia do të paguante një çmim të rëndë për pushtimin.

Rusia ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët për “përshkallëzimin e tensioneve” mbi këtë çështje dhe mohon se ka në plan të hyjë në Ukrainë. Megjithatë, Moska ka vendosur 100,000 ushtarë rusë pranë kufirit me Ukrainën. Duke u pyetur nga gazetarët, Biden u përgjigj “po” kur u pyet nëse ai mund ta shihte veten duke vendosur sanksione ndaj presidentit rus personalisht në rast të një pushtimi. Ai tha se një lëvizje e tillë përtej kufirit të Ukrainës do të nënkuptonte “pasoja të mëdha në mbarë botën” dhe mund të përbënte “pushtimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore” raporton “BBC”.

Zoti Biden shtoi se ai do të ndihej i detyruar të rriste praninë e NATO-s në Evropën Lindore. “Duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë arsye që askush, asnjë anëtar i NATO-s, të shqetësohet nëse NATO do t’i dalë në mbrojtje,” tha ai. Por ai përsëriti se nuk kishte plane për të dërguar trupa amerikane në Ukrainë.

Administrata e zotit Biden ka thënë se po punon me furnizuesit e naftës dhe gazit në mbarë botën për të rritur dërgesat në Evropë në rast se Rusia ndërpret furnizimet, raporton “New York Times”. Rusia aktualisht siguron rreth një të tretën e naftës bruto dhe gazit të importuar nga Bashkimi Evropian. Më herët, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, tha se aleatët perëndimorë do t’i përgjigjen çdo inkursioni me sanksione “të rënda” ekonomike, duke shtuar se Britania ishte e përgatitur të vendoste trupa për të mbrojtur aleatët e NATO-s në rajon .

Ai ngriti çështjen e ndalimit të Rusisë nga sistemi i pagesave ndërkombëtare Swift, një veprim që zyrtarët e lartë rusë thanë se do të thoshte se Evropa nuk do të ishte në gjendje të paguante dhe të merrte produktet ruse. Ndërkohë presidenti francez Emmanuel Macron tha se dialogu me Moskën do të vazhdojë. Ai tha gjithashtu se do të fliste në telefon me Putin të premten dhe do të kërkonte sqarime rreth synimeve të Rusisë ndaj Ukrainës.

Gjatë bisedimeve të krizës të hënën, fuqitë perëndimore ranë dakord për sanksione “të pashembullta” kundër Rusisë nëse ajo do të pushtonte. SHBA ka vënë gjithashtu 8,500 trupa në gatishmëri, pjesërisht për të ndihmuar në përforcimin e aleatëve të NATO-s për të cilët Rusia tha se i shkaktojnë “shqetësim të madh”. Kremlini ka thënë se e sheh NATO-n si një kërcënim të sigurisë dhe po kërkon garanci ligjore që aleanca nuk do të zgjerohet më tej në lindje, duke përfshirë Ukrainën fqinje.

Por SHBA ka thënë se çështja në lojë është agresioni rus, jo zgjerimi i NATO-s. Frika e pushtimit ka bërë që ambasadat perëndimore në Kiev të tërheqin një pjesë të personelit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u përpoq të qetësonte kombin e tij në një fjalim televiziv të martën. Ai tha se po punonte për të organizuar një takim me krerët e Francës, Gjermanisë dhe Rusisë.

/ abcnews.al