Policia e Durrësit ka arrestuar sot edhe shoferin e mjetit tip “Fiat Dukato” që hodhi viktimën te ura e Dajlanit në Durrës, ndërsa një ditë më parë u arrestua shoferi i autobusit që përplasi motorin ku udhëtonte 25 vjeçari. Në njoftimin e saj policia njofton se është bërë zbardhja dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes.
Njoftimi i Policisë Durrës
Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e datës 26.10.2019 në aksin rrugor “Tiranë-Durrës”, si pasojë e të cilit humbi jetën një shtetas, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë zbardhja dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes si dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– F. T., 54 vjeç, banues në Tiranë;
– P. T., 49 vjeç, banues në Krujë.
Arrestimi i tyre u bë për shkak se në autostradën “Tiranë-Durrës”, tek mbikalimi i këmbësorëve në Shkozet, mjeti tip “Fiat Dukato” që drejtohej nga shtetasi F. T., dhe mjeti autobus tip “Skania” që drejtohet nga shtetasi P. T., janë përplasur me motorin tip “Dajang”, me drejtues shtetasin R. B., 25 vjeç, banues në Durrës, i cili ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale ” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. /abcnews.al


