Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-ve dhe Iranit vazhdon të jetë “në fuqi” pasi të dyja palët shkëmbyen zjarr vonë mbrëmjen e së enjtes. Nuk ishte e qartë se kush qëlloi i pari.
Komanda e lartë ushtarake iraniane pretendoi se SHBA-të kishin shënjestruar një cisternë nafte iraniane dhe një tjetër anije që po i afrohej Ngushticës së Hormuzit, si dhe kishte kryer “sulme ajrore” në disa zona bregdetare.
Nga ana tjetër, SHBA-të thanë se iu përgjigjën sulmeve iraniane ndaj anijeve luftarake amerikane me raketa të drejtuara në ngushticë me “goditje vetëmbrojtëse”. Trump deklaroi se Irani “u tall me ne sot”.
Përshkallëzimi vjen një ditë pasi ministria e Jashtme iraniane kishte thënë se po shqyrtonte një propozim amerikan për t’i dhënë fund luftës.
Në një tjetër shenjë të brishtësisë së armëpushimit, herët të premten Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi se mbrojtja ajrore ishte “angazhuar aktivisht” kundër një sulmi me raketa dhe dronë nga Irani.
Mediat shtetërore iraniane raportuan fillimisht për “shpërthime” në Ngushticën e Hormuzit, duke i përshkruar si një “shkëmbim zjarri” me “armikun”. Ndërkohë, mediat lokale raportuan shpërthime edhe në Teheran.
Pak më vonë, një deklaratë nga komanda e lartë ushtarake iraniane tha se “sulmet ajrore” amerikane goditën brigjet e Bandar Khamir, Sirik dhe Ishullit Qeshm.
Sipas deklaratës, Irani reagoi menjëherë duke sulmuar anije ushtarake amerikane dhe duke shkaktuar “dëme të konsiderueshme”, ndërsa akuzoi SHBA-të për “shkelje të armëpushimit”.
Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) i përshkroi sulmet iraniane si “të paprovokuara”, duke thënë se forcat iraniane lëshuan “raketa të shumta, dronë dhe mjete të vogla lundruese” ndaj anijeve luftarake amerikane që po kalonin nëpër ngushticë.
Centcom deklaroi se kishte “eliminuar kërcënimet hyrëse dhe goditur objektet ushtarake iraniane përgjegjëse për sulmet ndaj forcave amerikane, përfshirë vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve, qendrat e komandës dhe kontrollit, si dhe nyjet e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit”.
“Centcom nuk kërkon përshkallëzim, por mbetet i pozicionuar dhe i gatshëm për të mbrojtur forcat amerikane,” thuhej më tej në deklaratë.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se SHBA-të kishte shkatërruar disa mjete të vogla lundruese që “ranë aq bukur në oqean, si një flutur që bie drejt varrit të saj”.
“Sulmuesve iranianë iu shkaktuan dëme të mëdha,” shtoi ai.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu paralajmërimin për marrëveshjen e paqes: “Ashtu siç i goditëm sërish sot, do t’i godasim shumë më fort dhe shumë më dhunshëm në të ardhmen nëse nuk nënshkruajnë marrëveshjen, SHPEJT!”
Rritja e tensioneve vjen pavarësisht deklaratave të Trump ditët e fundit se lufta me Iranin do të “mbarojë shpejt”.
Media amerikane Axios raportoi se Shtëpia e Bardhë beson se mund të jetë pranë arritjes së një memorandumi mirëkuptimi me 14 pika me Iranin, i cili mund të krijojë bazën për negociata më të detajuara bërthamore.
Të mërkurën, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme iraniane tha se propozimi më i fundit amerikan po shqyrtohej dhe se Teherani do t’ua paraqiste pikëpamjet e tij ndërmjetësve pakistanezë.


