Anija italiane shpëton emigrantët, Roma nuk lejon ankorimin e saj

schedule12:55 - 10 Korrik, 2018

schedule 12:55 - 10 Korrik, 2018

Qeveria italiane vijon me politikat kundër zbarkimeve të anijeve me emigrantë. Këtë herë, ministri i Brendshëm nuk lejoi ankorimin e një anije italiane që kishte shpëtuar 66 emigrantë në afërsi të brigjeve të Libisë. Megjithatë me ndërhyrjen e rojeve bregdetare, emigrantët zbarkuan në Itali.

Për herë të parë është regjistruar bllokimi nga Ministria e Brendshme e Romës të një anije italiane, e cila ka shpëtuar 66 emigrantë në afërsi të brigjeve të Libisë. Për Matteo Salvinin, remorkiatori “Vos Thalassa” i ka paraprirë ndërhyrjes së rojeve bregdetare të Libisë që ishte njoftuar më përpara dhe kështu që nuk mund të ankorohet në portet italiane. Emigrantët janë transferuar për në anijen “Diciotti” të autoriteteve, por qëndrimi i ministrisë nuk ndryshon.

Emigrantët do të zbarkojnë në Itali vetëm “për masat e nevojshme parandaluese dhe hetimet gjyqësore lidhur me sjelljen që rrezikuan jetën e ekuipazhit të Vos Thalassa”. Transportuesi komercial valvit flamurin italian. Në mes të Qershorit ishte protagonist i shpëtimit të 212 emigrantëve, të cilët më pas u besuan njësisë ushtarake italiane “Diciotti”.

Ndërkohë, vendimi i Salvinit vjen në sajë të politikave të qeverisë së tij kundër emigracionit dhe veçanërisht ndaj ankorimeve të anijeve me refugjatë në Itali. Ministri i Brendshëm më përpara ka bllokuar disa herë zbarkimin e emigrantëve, duke nisur përplasje të paprecedentë me Maltën, Spanjën dhe Francën./abcnews.al