Amerikanit i refuzohet transplanti i zemrës sepse nuk është vaksinuar

schedule09:28 - 26 Janar, 2022

schedule 09:28 - 26 Janar, 2022

Një spital amerikan ka refuzuar një pacient për një transplant zemre të paktën deri tani sepse ai nuk është i vaksinuar kundër Covid-19.

DJ Ferguson, 31 vjeç, ka nevojë urgjente për një zemër të re, por Brigham and Women’s Hospital në Boston e hoqi atë nga lista e tyre, tha babai i tij, David.

Ai theksoi se vaksina kundër Covid shkon kundër “parimeve bazë të djalit të tij, ai nuk beson në të”. Ndërsa, spitali tha se po ndiqte politikën.

Brigham and Women’s Hospital i tha BBC-së në një deklaratë: “Duke pasur parasysh mungesën e organeve në dispozicion, ne bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që një pacient që merr një organ të transplantuar të ketë shanset më të mëdha për të mbijetuar”.

Një zëdhënës tha se spitali kërkon “vaksinën Covid-19 dhe sjelljet e stilit të jetesës për kandidatët për transplantim për të krijuar shansin më të mirë për një operacion të suksesshëm dhe për të optimizuar mbijetesën e pacientit pas transplantimit, duke pasur parasysh se sistemi i tyre imunitar është i dobët”.

Baba i dy fëmijëve dhe në pritje të të tretit, Ferguson mbetet në spital, thanë të dashurit e tij.

Familja e tij ka sugjeruar se ai është shumë i dobët për t’u transferuar në një spital tjetër dhe se “po i mbaron koha”.

“Djali im po lufton me shumë guxim dhe ai ka integritet dhe parime në të cilat beson vërtet dhe kjo më bën ta respektoj atë edhe më shumë”, tha David Ferguson.”Është trupi i tij. Është zgjedhja e tij”, shtoi ai.

Nuk është hera e parë që një amerikan i pavaksinuar përballet me pengesa në kujdesin shëndetësor javët e fundit.

Në fillim të këtij muaji, një grua nga Minesota paditi spitalin e saj lokal pasi mjekët u përpoqën t’i hiqnin burrin e pavaksinuar nga ventilatori që ai kishte përdorur për dy muaj.

Pak më shumë se 63% e popullsisë së SHBA-së kanë marrë dy doza dhe rreth 40% e amerikanëve kanë marrë një dozë të tretë përforcuese. g.v/abcnews.al