Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në reagimin e saj, Ambasada ka shprehur shqetësim dhe zhgënjim të thellë për verdiktin, duke thënë se beson se aktgjykimi mund të ndryshohet në shkallën e apelit.
“Ky vendim ka shkaktuar, me të drejtë, zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën dhe përbën një lajm thellësisht zhgënjyes për të gjithë ne. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë, vetëmbrojtëse dhe të domosdoshme. Këtë fakt nuk e ndryshon askush, asnjëherë”, thuhet në reagim.
Ambasada ka deklaruar se pret që aktgjykimi përfundimtar në shkallën e apelit ta ndryshojë vendimin e shkallës së parë, ndërsa ka shprehur solidaritet me familjet e katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në të njëjtën kohë, Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Hagë të ruajnë qetësinë dhe maturinë, të shmangin provokimet dhe të respektojnë rregullat e protestës.
“Dhuna nuk lejohet. Paqja, dinjiteti dhe respektimi i ligjit janë përgjegjësi e të gjithëve”, thuhet në fund të reagimit.

