Në Korçë u shënua viktima e parë për këtë vit nga i ftohti. Një 55 vjeçar që po lëvizte me biçikletë pësoi atak kardiak nga temperaturat e ulëta dhe u gjet i pajetë nga banorë të zonës në fshatin Ravonik. Pasditen e djeshme prefekti i Korçës u përfshi në një aksident për shkak të ngricave, por pati vetëm dëme materiale.
I ftohti shkaktoi viktimën e parë në Korçë. Një person u gjet i pajetë tek rruga e fshatit Ravonik në kohën kur temperaturat shënonin -13 gradë. 55 vjeçari Jani Poda ishte duke lëvizur me biçikletë dhe po shkonte në punë si çdo mëngjes.
Dyshohet se ai ka humbur jetën nga një atak kardiak si pasojë e të ftohtit. Viktima u gjet nga banorët e zonës të cilët e çuan në spital, por ishte tepër vonë për 55 vjeçarin.
Ndërsa pasditen e të premtes është përfshirë në një aksident prefekti i Korçes në aksin Korçë -Pogradec. Mjeti drejtohej nga shoferi i prefekturës dhe në makinë ndodhej edhe kreu i institucionit Dhori Spirollari.
Mësohet se makina ka dalë nga rruga si pasojë e ngricave dhe shoferi ka manovruar në kohë duke goditur nga pas mjetin e një emigranti. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale. /abcnews.al