Rama bën bilancin e 2018-ës: Sot shqiptarët jetojnë më mirë se dje

schedule15:02 - 31 Dhjetor, 2018

schedule 15:02 - 31 Dhjetor, 2018

Kryeministri Rama tha se qeverisja e tij e mbyll  2018 me një bilanc pozitiv. Në konferencën e fundit për këtë vit, kreu i qeverisë analizoi me radhë sektorët kyçë, ku pasi prezantoi ecurinë e deritanishme, parashtroi dhe pritshmëritë për 2019.

I vetëkënaqur dhe optimist është kryeministri Edi Rama në ditën e fundit të vitit 2018.

“Sot shqiptarët jetojnë më mirë se dje”.

Këtë shefi i këshillit të Ministrave e argumenton me shifra: 262 mijë më shumë shqiptarë janë punësuar, 12, 4 përqind është ulur papunësia,

“Statistikisht papunësia është ulur nga 18.2 nqë 12 . është shifra më e ulët historike”

Rënie ka pësuar edhe varfëria. E kundërta ka ndodhur me fuqinë blerëse.

“Konsumi i popullatës është rritur me 4% më shumë se një vit më parë. Në 5 vitet e fundit kemi rritje të konsumit final”.

Sa për denoncimet dhe akuzat e krahut kritik, janë thjesht disa tam tame për kryeministrin Rama.

“Propaganda dhe tamtamet e përditshme që kanë synuar dhe synojnë që ta pikturojnë qeverinë tonë si qeveria e të mëdhenjve, e më të pasurve, e oligarkëve bën punën e vet. Tamtamet kanë arritur të përçojnë një mesazh krejtësisht të gënjeshtërt, ndërkohë që faktet flasin ndryshe”.

Faktet që tregon kryeministri thonë se kompanitë që paguajnë tatim fitimi me qarkullim vjetor mbi 8 milionë lekë, pra 80 mijë dollarë në vit janë rritur 10% në 5 vite dhe sot janë 22 mijë kompani të tilla dhe pesha që zë fitimi i tyre i përbashkët është e konsiderueshme.

“Nëse analizojmë të mëdhenjtë rezulton se pesha e fitimit të dhjetë kompanive me fitimin më të madh, “oligarkëve”, kundrejt fitimit të të gjithë kompanive së bashku është në rënie me 30% të fitimeve, në krahasim me vitin 2013 dhe 20% me vitin 2017”.

Është e gjatë lista e arritjeve së kësaj qeverie që lexon kryeministri Rama. Ndër më të rëndësishmet ai rendit reformën në drejtësi dhe peshkaqenët që nuk I kanë shpëtuar rrjetës.

“Ja ku jemi sot me numër të konsiderueshëm peshkaqenësh që janë në rërë, atyre që shkruajnë e thonë kur do futet në burg ky apo ai, u kujtoj që unë nuk jam as prokuror i përgjithshëm, as gjykatës, as hetues dhe nuk kam ndërmend të marr rolin e atij që fut në burg njerëz”.

Duket sikur shqiptarët s’kanë ç’kërkojnë më shumë nga jeta, por kryeministri Rama s’është dakord.

“Padiskutim nuk jetojnë aq mirë se sa do të duhej dhe përsa ne me gjithë fuqinë tonë përpiqemi”.

Bashkë me janarin e vitit 2019 do të vijnë edhe uljet e taksës për imputet bujqësore.

“Për herë të parë pas 28 vjetësh bëhet realitet një zotim që kanë marrë të gjitha partitë politike, që do të thotë që të gjithë ata që punojnë tokën në Shqipëri do të lehtësohen ndjeshëm nga barra e taksës për imputet bujqësore, zero TVSH për imputet bujqësore”.

Pasi renditi të gjitha ato që janë bërë e do të bëhen për të shtuar paratë në xhepat e shqiptarëve, gazetarët i përqendruan pyetjet e tyre edhe në zhvillimet politike. Kabineti i rinovuar i këshillit të ministrave pret firmën e Presidentit të Republikës. Proces rutinë që do të jetë gati janarin e 2019 e sheh kreu qeverisë.

“Nuk shoh arsye për të dyshuar në faktin që Presidenti do të marrë kohën e tij dhe do të dekretojë ministrat sikundër e kërkon Kushtetuta”.

Është i sigurt edhe për përzgjedhjen e re që ka bërë, në mënyrë të veçantë për atë që e zëvendëson, numrin dy të qeverisë Erion Braçen.

“Dua që t’i them atyre që kanë kërkuar arsye dhe argumenta për ta goditur zgjedhjen e Erjon Braçes se Erjon Braçes i merrni të keqen. Për ju Erjon Braçe rron 2 mijë vjet, se unë rroj 1 mijë”.

Shtysa e fortë për ndryshimet në qeveri ishte protesta e studentëve përsërit kryeministri Rama. Me ministrat e rinj pakti me studentët do të shkruhet ashtu siç duhet garanton Edi Rama.

“Pakti me studentët ende duke u shkruar nga një grup i gjerë pune që drejtohet nga zëvendëskryeministri i ri, qysh kur ishte ditën e parë në krye të grupit për të koordinuar gjithë punën dhe çfarë kam bërë e do të bëjmë nuk është si rezultat i presionit, por si rezultat i bindjes në ato kërkesa që janë në këndvështrimin tim të drejta”.

Një tjetër protestë është ajo që zgjat prej dy muajsh në unazën e re. Skandali me tenderin e lotit të parë të këtij projekti që doli më pas do të zbardhet nga drejtësia. Pyetjeve nëse janë të implikuar edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qeverisë, kryeministri Edi Rama i përgjigjet me një histori komploti.

“Ka të dhëna që ka edhe një studim shkencor të Monika Kryemadhit për realizimin me sukses të një goditjeje fatale ndaj qeverisë dhe më vjen keq që më kapët gafil, por jam i detyruar ta pranoj, por ju siguroj që ky grup armiqësor nuk e ka të gjatë. Erjon Veliaj mund të dalë në TV dhe të mbjellë pemë sa të dojë, por një ditë në një nga ato pemë do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore do të marrin goditjen e duhur dhe kjo pasqyrohet në veprën time 21”.

Kjo protestë po as të tjerat nuk e cënojnë fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit. Përkundrazi, listës së bashkive fituese do t’i shtohet edhe një e re.

“E rëndësishme është që ne do fitojmë bashkitë që kemi dhe bashkinë e Kukësit”.

Takimin e fundvitit me gazetarët Kryeministri e mbyll me një urim sipas mënyrës së tij.

“Ju uroj çdo të mirë për ju familjet tuaja jetën tuaj profesionale që ju siguroj sa kohë të jem unë do jetë interesante”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!