Marrëveshja e re mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian (BE) që mbulon eksportet ushqimore, përfshin një klauzolë për ndërprerjen pas 10 vjetësh, raporton BBC, përpara publikimit të teksteve të traktatit.
Mbretëria e Bashkuar dhe BE arritën të premten një marrëveshje pas Brexit, që synon uljen e barrierave tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Sipas BBC, tekstet e traktatit pritet të publikohen sot pasdite, së bashku me legjislacionin që synon zbatimin e pjesës më të madhe të marrëveshjes.
Klauzola për ndërprerjen pas 10 vjetësh do të nënkuptonte se nëse njëra nga palët do t’i jepte fund marrëveshjes, ajo do të duhej të paguante për rindërtimin e infrastrukturës së kontrolleve kufitare, e cila pritet të reduktohet ndjeshëm në kuadër të marrëveshjes.
Masat kryesore përfshijnë lehtësimin e kontrolleve në tregtinë e produkteve ushqimore, ndërlidhjen e tregjeve të karbonit dhe krijimin e një skeme për lëvizjen e të rinjve ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të duhet të përafrojë më ngushtë legjislacionin e saj me disa rregulla të BE-së.
Marrëdhëniet pas Brexit
Shumica e votuesve britanikë mbështetën largimin nga BE në referendumin e Brexit në vitin 2016. Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja nënshkruan Marrëveshjen e Tërheqjes më 24 janar 2020 ndërsa Britania u largua zyrtarisht nga blloku më 31 janar 2020.
Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së rregullohen nga Marrëveshja e Tërheqjes, Marrëveshja për Tregti dhe Bashkëpunim si dhe një marrëveshje më e fundit për Gjibraltarin, e cila zbatohet përkohësisht që nga 15 korriku.
Marrëveshja e Tërheqjes përcaktoi qasje me faza për të siguruar largimin e rregullt të Mbretërisë së Bashkuar nga BE.



