Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Abc Live” me Juli Xhokaxhi, nënkryetari i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka komentuar amendamentet për ndryshimet kushtetuese.
I pyetur nga analisti Lorenc Vangjeli se çfarë ndryshimesh do të kërkojë opozita sa i përket reformës administrative, Alibeaj tha se kjo mbetet për t’u konkretizuar ndërsa sqaroi se PD ka ngritur problematikat aktuale.
“Shërbimi është larguar nga njerëzit. Pushteti vendor është bërë depozitë punësimesh militante. Këto janë simptomat që dimë. Për të shkuar te zgjidhja do të bëja unë gabim po të thoja që e kam hartën gati.”
Lexo edhe: Amendamentet e PD, Vangjeli: Kushtetuta e arnuar ndër vite, ligjet shkruhen për synime të caktuara
Kurse institucioni që do të vetojë politikanët sipas Alibeajt është SPAK.
“…pretendohet që SPAK ka një distancë nga politika, duhet që të trajtojë edhe një çështje të tillë…”
Por si ka menduar opozita që t’ia imponojë tre amendamentet për ndryshimet kushtetuese mazhorancës? Nënkryetari i PD sqaroi se propozimet nuk janë interesa të drejtpërdrejta të PD.
Përkundrazi, sipas Alibeajt, amendamentet çojnë përpara interesat e publikut dhe opozita ka për detyrë t’i propozojë, pastaj mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbahet.
“Këto amendamente, nuk janë interesa drejtpërdrejt të ngushta të PD apo të demokratëve. Nuk kemi ne ndonjë përfitim personal si opozitë. Këto janë amendamente që çojnë përpara interesat e publikut të gjerë. Nuk janë interesat tonë. Mjeti i vetëm që i shtyjmë përpara është mbështetja nga njerëzit. A i pranon Rama apo jo kjo është histori tjetër. Ne themi këto janë nevojat, ne e dimë që s’i kemi votat. Ama aftësia e një opozite është të sjellë në tryezën e diskutimit çështje që ka nevojë publiku. Pastaj gjithsecili mban qëndrimin e vet.”
I pyetur për ekzistencën e kërcënimeve nga ana e Bashës në drejtim të Berishës në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PD, Alibeaj preferoi të shmangej duke thënë se nuk ishte i pranishëm. sb/abcnews.al/