Presidenti Ilir Meta vazhdon të kërkojë dialog për zgjidhjen e kërkesave të studentëve. Në një koment për këtë çështje nga Korça, kreu i Shtetit u shpreh se arsimi i lartë kërkon një zgjidhje afatgjatë.
Nga Korça ku mori pjesë në simpoziumin e organizuar nga Universiteti Fan S. Noli në Korçë dhe shoqata Maqedonase “Sonce” kushtuar veprës dhe personalitetit të letrave shqipe, Sterjo Spase, Presidenti i vendit Ilir Meta në reagimin e tij lidhur me vendimet e qeverisë sa i përket kërkesave të studentëve, nuk dha një përgjigje konkrete.
“Do mbështesja çdo reflektim të sinqertë, të thelluar, të qëndrueshëm dhe konstruktiv. Problemi zgjidhet vetëm në këtë mënyrë, përmes një dialogu të sinqertë, jo intrigues, jo ndarës, jo intimidues dhe përmes një bashkëpunimi të besueshëm dhe konstruktiv”.
Sa i përket protestës së emigratëve, njoftuar për t’u mbajtur ditën e premte, por e refuzuar nga policia e shtetit, Presidentit Meta iu duk i pabesueshëm lajmi i ndalimit të dhënies së lejes për tubim nga policia, duke ftuar me humor emigrantët të protestojnë brenda oborrit të Presidencës. /abcnews.al