Kombëtarja e Shqipërisë mori atë që kërkonte në Ligën e Kombeve. Vendi i parë në grup dhe promovimi në Ligën B. Por tani që turneu mbylli fazën e parë të tij është koha për të bërë një bilanc për paraqitjen e skuadrës kuqezi.
Në gjashtë ndeshje, të besuarit e Rolando Maran morën 15 pikë, me pesë fitore dhe një humbje, atë kundër Finlandës në Helsinki.
Kjo humbje prishi atë që mund të ishte një ecuri rekord, por gjithsesi nuk e zbeh aspak paraqitjen në total me 12 gola të shënuar dhe vetëm tre të pësuar. Këto shifra flasin për një mbrojtje solide dhe një skuadër sulmuese. Kjo e dyta përforcohet edhe nga të tjera statistika.
Kombëtarja e Shqipërisë ka një mesatare prej gjashtë goditjesh në katërkëndësh dhe më shumë se dy gola për ndeshje në Ligën e Kombeve.
Sigurisht, rivalët nuk ishin të një niveli të lartë, por kjo mund të jetë një pikë nisje për të ardhmen.
Niveli do të rritet me nisjen e kualifikueseve të “Euro 2028” dhe me këtë lidhen dy “fitore” të tjera të tjera për kuqezinjtë.
Me vendin e parë në grup, Shqipëria hapi një tjerër rrugë drejt finaleve të Kampionatit Europian, që kalon mes play off të Nations League, nëse nuk ia del gjatë eliminatoreve.
Po ashtu, me ngjitjen në Ligën B, skuadra e Maran ka fituar edhe një vend në vazon e tretë të shortit për “Euro 2028”. Kjo do të thotë se Shqipëria do të ketë në grupin e saj kualifikues dy rivalë më të lehtë.
Por si gjithmonë, gjithçka do të vendoset në fushë dhe e sigurtë është që niveli në eliminatoret e Kampionatit Europian rritet ndjeshëm. Ato do të jenë testi I vërtetë për Rolando Maran, por për momentin trajneri e ka fituar “bastin” e parë në panikën kuqezi.


