Social Demokratët e qendrës së majtë shpresojnë të qeverisin Gjermaninë pasi mundën ngushtë bllokun e Unionit të qendrës së djathtë të Angela Merkel në zgjedhjet parlamentare të së dielës. SPD, e udhëhequr nga Olaf Scholz, siguroi 25.7% të votave, ndërsa blloku CDU-CSU, i kryesuar nga Armin Laschet, mori 24.1%, sipas shifrave paraprake.
Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, Rezarta Reimann këshilltare në SPD u shpreh se në Gjermani ndihet një dëshirë e njerëzve për ndryshim pas 16 vitesh.
Risia në këto zgjedhje, sipas Reimann është se nuk do të vendosin partitë e mëdha për fatin e koalicioneve. Protagoniste në këtë rast janë partitë e vogla që pasi të konsultohen do të zgjedhin se me cilën nga prtitë do të bashkëpunojnë për qeverisjen e vendit.
Por si pritet të ndikojë në vendin tonë ardhja e një lideri të ri në Gjermani në kuadrin e integrimit në Bashkimin Evropian. Rezarta Reimann tregon se politika e jashtme e Gjermanisë apo integrimi i Ballkanit më specifikisht nuk ka qenë pjesë e rëndësishme e fushatës.
Megjithatë, këshilltarja në SPD u shpreh se në programin e CDU/ CSU preket çështja e zgjerimit të BE. Në program shpjegohen që strukturat e brendshme të unionit duhet të ruhen ndërsa shtohet se përpara se të futen kandidatë të rinj në bllok, do duhet që t’i plotësojnë 100 për qind kushtet.
“Në SPD, nuk ka pasur në program çështje për politikat e jashtme, nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh në politikat integruese.”
Në zgjedhje, tregon Reimann, ka pasur edhe kandidatë shqiptarë.
“Ka pasur edhe kandidatë shqiptarë, nuk ka arritur të fitojë, një lajm shumë i mirë pesë kandidatë me origjinë shqiptare mund të futen në Bundestag…Dëgjova se një shqiptare e Kosovës ka arritur që të futet në parlamentin e Berlinit. Pasi dje u mbajtën edhe zgjedhjet lokale për parlamentin e Berlinit dhe për një land në veri të Gjermanisë.”
Procesi i krijimit të qeverisë në Gjermani pritet të zgjasë me javë, ndoshta edhe muaj, me kancelaren në largim Angela Merkel e cila do të qëndrojë në krye të vendit me shumicën e përkohshme, derisa të arrihet një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. /abcnews.al/