Vllaznia dhe Partizani janë ndarë në barazim 1-1 në “Elbasan Arena” për javën e tretë të Abissnet Superiore. Një nga episodet vendimtare të ndeshjes ndodhi shumë shpejt.
Në minutën e katërt Liridon Latifi “trullosi” mbrojtjen e Partizanit në të majtë dhe dha një pasim perfekt për Da Silvan, i cili e bëri shumë mirë detyrën e shtyrjes së sferës në rrjetë.
Vllaznia fitoi mjaft besim pas golit dhe e dominoi pjesën e parë për qarkullimin e topit dhe pasimet e sakta. Por një goditje dënimi rrezikoi seriozisht portën shkodrane në minutën e 32-të. Ergys Kaçe goditi bukur, por portieri Zogovic ishte në lartësinë e duhur dhe “fluturoi” për ta ndalur atë top.
Pas pesë minutash Alban Hoxha ndalon me këmbë Da Silvan, i cili po shkonte i vetëm drejt portës së Partizanit. Pjesa e dytë ishte shumë e luftuar dhe të dyja skuadrat ishin të barabarta në fushë, me Vllazninë, që kërkonte edhe golin e dytë e jo të administronte rezultatin.
Por kjo strategji nuk funksionoi sepse Partizani arriti të barazojë. Ishte Arinaldo Rrapaj, i cili pas një aksioni të gjatë në portën e Vllaznisë, mori një top në gjysmë lartësi dhe tundi bukur rrjetën e Zogovic në brendësi të rrjetës.
Nuk kishte ç’të bënte portieri në këtë rast, ndryshe nga pak minuta më parë kur devijoi një goditje me kokë shumë pak metra pranë tij. Në fund Partizani ishte më kërkues, por koha nuk premtonte dhe gola nuk pati më, duke u mbyllur gjithçka në barazim 1-1.
Pas këtij barazimi, Vllaznia numëron 5 pikë dhe renditet e dyta, ndërsa Partizani merr pikën e dytë, pa arritur ende te fitorja e parë në këtë edicion të Superiores. /abcnews.al

