Mëngjesi i kësaj të premte ka gjetur në protestë qindra prej studentëve të universiteteve publike të Tiranës, të cilët kanë nisur kështu ditën e katër rradhazi të protestës së tyre masive kundër tarifave të shkollimit dhe kushteve në shkollë dhe njësitë akomoduese.
Studentët e Universitetit Ekonomik, Filologjik, Mjekësisë, Inxhinierisë së ndërtimit, atij Bujqësor, Fakulteteve të drejtësisë dhe Shkencave Sociale dhe ato të natyrës janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit, aty ku u mblodhën sërish të gjithë për të protestuar. Përgjatë marshim-protestës së nisur rreth orës 09.00 të mëngjesit të sotëm, studentët kanë ndaluar dhe në afërsi të gjimnazeve, ku i kanë bërë thirrje kryesisht maturantëve që t’i bashkohen protestës së sotme.
Studentët kanë përshkuar në këmbë rrugën nga universitet e tyre deri tek Ministria e Arsimit, me parulla e pankarta si “Prindërit janë në borxhe për tarifat tona”, “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”, etj.
Në thirrjet e tyre studentët i bëjnë thirrje politikës që të qëndrojë larg nga protesta e tyre.
Protestës sot i janë bashkuar edhe disa profesorë. Mes tyre ishte e dukshme prania e profesorit të njohur të Fakultetit të Gjuhëve të huaja Edmond Tupja, apo dhe e ish-zvministrit të Arsimit Taulant Muka. Mes studentëve është parë dhe artisti i angazhuar në çështjet sociale Robert Aliaj. /abcnews.al