Ndërsa këto ditë po diskutohet shumë për kushtet e jetesës së studentëve në konvikte, kryeministri Rama ka postuar një video ku tregon punën që është bërë dhe po bëhet në dy qendrat studentore në Tiranë. Kryeministri thotë se vetëm në fazën e parë bëhet fjalë për një investim 18.8 milionë euro.
Kryeministri Edi Rama, në një postim të bërë në rrjetet sociale ka treguar se qeveria ka nisur një investim masiv në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar të konvikteve. Ky reagim i Ramës vjen ndërsa këto ditë, kur studentët po protestojnë, po diskutohen edhe kushtet e jetesës në godinat studentore.
Kryeministri tregon dhe një video që tregon investimet e bëra në konviktet e fakultetit te Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, e quajtur ndryshe Qendra Studentore nr.2 si dhe projektin për shndërrimin e Qytetit Studenti në një qendër moderne për akomodimin e studentëve.
Sipas Ramës, ka nisur një investim masiv 18.8mln € në fazën e pare në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për të ndryshuar rrënjësisht situatën e trashëguar në konvikteve. Investimi do të garantojë sistem termoizolimi, dyer-dritare ambiente të brendshme si edhe ngrohje nga dyshemeja. Në videon e publikuar duken kushtet e papërshtatshme dhe lagështira e godinave të studentëve, ndërsa disa kate janë pa dyer e dritare. Investimi është ndarë në dy faza sipas shefit të qeverisë.
E para ka të bëjë me rikonstruksionin e godinave të qytetit student nr2 në Tiranë, ku dy të tilla me kushte bashkëkohore kanë përfunduar dhe 2 të tjera në fazën finale.
Deri tani sipërfaqja e godinave të rikonstruktuara është 16.814 metra katrorë dhe kanë përfituar 1088 studentë, që janë akomoduar në 236 dhoma. Më e rëndësishja sipas kryeministrit është faza e dytë e punimeve. Në fillim të vitin 2019, priten të rinovohen 9 godina të Qytetit Studentit nr 1 dhe vlera shkon në 11.4 milionë Euro. Ndërkohë nga këto investime do të përfitojnë edhe 1800 studentë të tjerë./abcnews.al