I ftuari i tretë i emisionit Provokacija i gazetarit Mustafa Nano ishte Neritan Sejamini, botues ne Exit.al. Një diskutim mbi realitetin politik në SHBA dhe qëndrimet e tij mbi çështje të ndryshme lidhur realitetin politik të vendit tonë.
Filimisht Sejamini tregoi mendimin e tij për të qenurit konservator në sistemin e sotëm dhe se sa ai ishte dakord me ide të ndryshme të politikave amerikane, siç është ajo e armëmbajtjes.
“Tema e armëmbajtjes është temë tipike amerikane, është shumë e vështirë ta nxjerrësh jashtë kontekstit amerikan. Kjo temë është konservatore për një arsye të thjeshtë, në Kushtetutën amerikane janë lejuar armët dhe kjo temë ka ngelur që atëherë. Çdo gjë që ndodh sot është të ndryshosh këtë gjë dhe kjo e bën konservatore atë që është pro mbajtjes së armëve. Por si temë në kuptimin ideologjik nuk ka ndonjë vlerë.”
Sejamini bëri një paralelizëm ndërmjet thelbit të demokracisë dhe shëmbëlltyrën e saj në Shqipëri.
“Shqiptarët në vitin 1990 zgjodhën diçka që nuk e dinin mirë se çfarë ishte. Zgjodhën lirinë, zgjodhën demokracinë, pa e ditur mirë se çfarë është demokracia. Edhe sot nëse shikon debatin publik shqiptar, ti shikon që edhe elita shqiptare nuk ka konceptin se çfarë është demokracia. Thelbi i demokracisë moderne është që të gjitheë mekanizmat që e pengojnë shumicën që të kthehet në Tiranë e të vendosin çfarë të dojë dhe duke ruajtur lirinë e individit. Vetëdija jonë demokratike ishte ne vitin ’90 pothuajse 0 dhe është akoma sot primitive.”
Gjithashtu ai tregoi dhe mendimin e tij për politikanët shqiptare dhe se, sipas tij, ata nuk janë më të ndryshëm se sa elita e vendit.
“Ne duhet të kuptojmë se kemi udhëheqës normalë. Nuk janë më të këqinj dhe nuk janë më të mirë se sa elita e vendit. Politikanët shqiptarë sot nuk janë më të këqinj se sa gazetarët, biznesmenët, drejtuesit e televizioneve shqiptare. Pavarësisht se politikanët janë një shënjestër më e kollajshme se sa gazetarët. Ata kanë rolin e tyre, por përgjegjësia është e të gjithë shoqërisë. Shumica e problemeve tona kanë burim politik.”
Në përfundim Sejamini foli dhe për ikjen e shqiptarëve përtej kufijve dhe arsyet e migrimit masiv në ditët e sotme.
“Ka ikur gjysma e Shqipërisë. Një pjesë e kësaj ikje ishte e natyrshme, ndodhi pas vitit ’90. Shqiptarët atëhere nuk pritën të ndryshonin vendin, ikën sepse ishte thirrja e lirisë. Është një ndër gjërat më fantastike migrimi, pavarësisht se ne jemi viktima të migrimit. Por migrimi është një nga elementët më të fuqishëm të shoqërisë njerëzore. Njerëzit kanë qenë shtegtarë prandaj kanë mbijetuar. Ajo që po ndodh në Shqipëri sot është migrimi masiv dhe arsyet e migrimit masiv nuk janë se çdo njeri po ikën për një jetë pak më të mirë. Sot arsyeja kryesore se përse njerëzit po ikin është mungesa e shpresës për të ardhmen. Më shumë se sa pamundësia ekonomike është pamudnësia për të ruajtur dinjitetin, pamundësia për një jetë të sigurtë për fëmijët në të ardhmen.”/abcnews.al