Marigona Osmani, 18-vjeçarja që u dërgua e vdekur në derën e një spitali në Ferizaj dyshohet se është vrarë në banesën e një dhome.
Është ky rezultati paraprak i hetimeve të prokurorisë së Ferizajt. Kryeprokurori Shukri Jashari deklaroi në një konferencë për mediat se shumë shpejt do të vërtetohet se prezent ka qenë dhe një person i dytë i cili ka parë momentin e vrasjes së vajzës.
“Rasti ka ndodh në banesë në dhomë, persona të dyshimtë e kanë dërguar në spital, prokurori nuk ka qenë aty”, tha kryeprokurori Jashari.
Ai tha se gjatë ditës së djeshme janë sekuestruar disa sende dhe telefona në banesën e të dyshuarit.
“Ka të sekuestruara gjëra dhe telefona në banesë, armë nuk ka të sekuestruara”, tha ai.
Sa i përket personit të dyshuar me inicialet D.K., ai tha se është i njohur për policinë.
“Ka qenë i ndaluar dhe e ka pas të caktuar masën e paraburgimit për veprën penale “lendim i lehtë trupor”, nuk ka rast të hapur D.K.,”, u shpreh ai.
“Personi me inicialet D.K., është i njohur për policinë dhe prokurorinë, ka një numër të madh të rasteve, por të gjitha rastet i ka të mbyllura…Edhe personi i dytë A.S., aktakuzë për tetntim vrasje në vitin 2013, më 23 shtator është caktuar seanca. Aktakuza është ngritë në vitin 2013”, u shpreh ai.
Jashari tha se i arrestuari i parë me inicialet A.S., ka vendbanim të përkohshëm në Zvicër, dhe dyshohet se ka qenë me veturë zviceriane.
“A.S., jeton në vendbanim të përkohshëm në Zvicër dhe dyshohet se ka qenë veturë zvicërane…Tabelat kanë qenë të padëshifruara…Personat janë identifiku dhe janë zbulu”, tha Jashari.


