Nga Ajgena Korbi
Tirana po rikthehet në vatrën kryesore të Covid në vend.
Kërkesat për tampon sipas epidemiologes Ermelinda Murati janë trefishuar ndërsa zonat me përhapjen më të madhe të infeksionit janë Kamza, Lapraka dhe Astiri.
Të rinjtë përbëjnë numrin më të lartë të të prekurve. Ato po shfaqin shenja të ngjashme me virozat. Ndërkohë nuk mungojnë as personat asimptomatik që po përhapin infeksionin pa e kuptuar.
“Persona që rezultojnë pozitivë , kryesisht kanë shenja të një viroze. Por ka edhe persona që nuk paraqesin fare shenja. Ato rezultojnë pozitivë sepse kanë qenë në kontakt me persona të ardhur nga jashtë ose persona që rezultojnë të prekur në familjet e tyre”, tha ajo.
Të prekur po rezultojnë dhe persona të vaksinuar apo të tjerë që thonë se e kanë kaluar më herët infeksionin.
“Më tepër janë persona që nuk e kanë kaluar Covid, nuk janë të vaksinuar, por nuk përjashtohen edhe rastet kur pozitivë kanë rezultuar edhe persona që kanë qenë të vaksinuar. Personat që janë vaksinuar zakonisht kanë shfaqur shenja minimale”, tha më tej Murati.
Personat që po konfirmohen pozitiv javët e fundit sipas specialistëve të laboratorit të virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik janë të prekur nga varianti “Delta” i Covid-19 dhe më pak nga mutacioni britanik./abcnews.al/